Ekipi i trajnerit Ramadan Ndreu kërkon fitoren e parë në kampionat kundër lushnjarëve, në ndeshjen që do të luhet në Fier
Ka shijuar humbjen në ndeshjen e parë të kampionatit, barazimin në takimin e dytë dhe tani duhen tri pikët. Për Kamzën tani është detyrim fitorja. Përballë në ndeshjen e radhës në Kategorinë Superiore është Lushnja. Kundërshtari direkt në luftën për mbijetesë në Superiore, duhet të mundet të shtunën në “Loni Papuçiu”. Kamzalinjtë janë jo vetëm gati për sfidën e radhës, por pas barazimit më shumë se të motivuar.
Në javën e dytë kamzalinjtë ndalën Skënderbeun, skuadrën që në javën e parë u etiketua ekipi për t’u mundur. Jo vetëm kaq, por edhe në javën e parë në rikthimin e tyre në Superiore, djemtë e Ndreut nuk e lëshuan kollaj veten ndaj Kukësit. Kanë ndërtuar një skuadër solide, ku ka një miksim me veteranë dhe të rinj të talentuar. Luajnë futboll të mirë.
Aktualisht skuadra është në formë të mirë, ndonëse në dy takimet e fundit ka pasur dy mungesa të rëndësishme që do të jenë një armë më shumë në ndeshjen e javës së tretë. Së pari, Sebino Plaku që nuk luajti me Skënderbeun pasi ishte në Poloni për të zgjidhur një gjyq me Slaskun, ish-skuadrën e tij. Nga ana tjetër, mbrojtësi Hektor Idrizaj është i dëmtuar. Nëse këta dy lojtarë kthehen, atëherë ekipi i Kamzës mund t’ia dalë për të marrë pikë në Fier kundër Lushnjes. Për më tepër që Lushnja nuk lundron në ujëra të qeta.
Trajneri Ndreu i ka kërkuar ekipit që këtë moment euforie ta shfrytëzojnë në maksimum për të marrë fitoren e parë në kampionat kundër Lushnjes, një ndaj një kundërshtari, që pikët janë mëse të mundshme. Nëse ekipi i Kamzës arrin të marrë tri pikë, pozitat në klasifikim i konsolidon dhe realisht Kamza etiketohet surpriza e tri javëve të para të Superiores.