Kampionati i femrave/ Vllaznia “i mërzit futbollin” Partizanit me 8-0 dhe shpallet kampione dimri, ndjek Apolonia

Është mbyllur java e 10-të e kampionatit të futbollit të femrave, që përkon edhe me ndeshjet e fundit për këtë vit futbollistik. Nuk ka surpriza nga kryesueset, Vllaznia e Apolonia, me dy skuadrat që morën nga një fitore të thellë duke mposhtur përkatësisht Partizanin dhe Teutën. Shkodranet mundën në shtëpi skuadrën kryeqytetase me shifrat 8-0, duke e dominuar takimin, me Esi Lufon, e cila hapi serinë e golave, për të vijuar më tej me Zarkën dhe dopietën e Gjinit në pjesën e parë.

Ndërkaq, Megi Doçi vulos një tjetër tripletë, ndërsa në minutën e 90-të, shkodranet shënojnë edhe golin e tetë, për ta mbyllur kampionatin në vendin e parë dhe duke siguruar kështu titullin simbolik, si kampione dimri edhe për këtë vit.

Apolonia – Teuta ishte “një fotokopje” e ndeshjes Vllaznia – Partizani, me fieraket që gjetën 8 herë rrjetën e durrsakeve. Troka, Demiri, Gashi, Ndoj, Biraku e Xhindole shënuan emrin e tyre si golashënuese në këtë sfidë, teksa kishte vend në këtë sfidë edhe për një dopietë të Klea Hamonikajt. Apolonia renditet në vendin e dytë momentalisht, me të njëjtën kuotë pikësh sa edhe Vllaznia e vendit të parë.

Sakaq, në ndjekje të kryesuesve vijon të jetë Tirana, që mori një fitore të vyer sot në Shkodër ndaj Atletik Club. Mjaftoi goli i Jehona Cokajt për t’i dhënë tre pikët bardhebluve, që ndodhen tashmë në vendin e tretë, në kuotën e  24 pikëve, me vetëm një humbje dhe tetë fitore. Kinostudio mposhti me poker Lushnjen në Kamëz, me dy gola të Cyme Lulajt dhe nga një gol të Hidës dhe Kadiollit, fitore që i ngjit kryeqytetaset në vendin e gjashtë, në kuotën e 13 pikëve.

Tirana AS – Skënderbeu përfundoi në barazimin 1-1, me korçaret që kaluan të parat në epërsi me Potomin, ndërsa për të balancuar ndeshjen mendoi Koldashi, e cila shënoi golin e baraspeshës në minutën e 74-t. Tirana AS renditet në vendin e 10-të, me vetëm 4 pikë të grumbulluara, një më pak se Skënderbeu i vendit të nëntë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *