Tirana po marshon drejt titullit kampion dhe për Redi Jupin kampionati mund të konsiderohet i mbyllur. Ish-futbollisti i Dinamos ishte i ftuar në emisionin “Procesi Sportiv“, ku ka komentuar ecurinë e bardhebluve. Jupi është i mendimit se merita e madhe në këtë pjesë i takon edhe Seferit, të cilin e diferencon nga të tjerët, duke e cilësuar si të një tjetër kategorie në krahasim me lojtarët e kampionatit tonë.
“Me çfarë kanë treguar deri tani, kampionati është pothuajse i mbyllur. Ka një diferencë shumë të madhe të Tiranës me ekipet e tjera. Jo se po bën mrekullira, në fakt ndeshjet e fundit ka bërë shumë mirë, ka bërë një lojë atraktive dhe të kënaqshme. Ka nxjerrë në pah edhe disa lojtarë që kishim kohë pa i parë në këtë nivel. Këtu kam ndërmend Seferin.
Pra, lojtarë të këtij niveli që të luajnë në kampionatin tonë, që kanë diferencë shumë të madhe me të tjerët. Duket sikur është një lojtar i një kategorie tjetër. Me çdo top që prek, me çdo lëvizje që bën. Sa herë që shënon, sa herë që asiston, në çdo gjë që bën duket që ka një diferencë me të tjerët. Ndërkohë skuadra pastaj po i përgjigjet”, ka thënë Redi Jupi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/