Është njeriu i ditës në Francë, pasi Kilian Mbape ka zhvilluar një Botëror ëndrrash, duke triumfuar pa mbushur 20 vjeç dhe duke shënuar edhe në finale, duke bërë diçka që vetëm legjendari Pele e kishte bërë në histori.
Natyrisht, gazetarët pa fund që kanë qenë në Moskë kanë përfituar për ta pyetur Mbapenë edhe për të ardhmen e tij, sepse ka kohë që flitet se Reali i Madridit e ka piketuar për sezonin e ardhshëm.
Gjithsesi, ish-talenti i Monakos ka sqaruar gjithçka, duke u përgjigjur hapur kur e pyetën ku do të luajë sezonin e ardhshëm: “Jam i lumtur në Paris, kam kontratë afatgjatë. Kjo është dita më e lumtur e jetës sime. Do të qëndroj te PSG, me 100%”.
Në këtë mënyrë, sulmuesi u jep vetë fund spekulimeve, në një kohë që tashmë është edhe kandidat për Topin e Artë dhe nëse ia del, fshin një herë e mirë legjendën që për të fituar Topin e Artë duhet të fitosh Champions League dhe të luash patjetër në klubet që janë në majën e Botës, si Real e Barcelona.