“Kam një lajm të keq, Broja nuk luan”, Silvinjo flet për ardhjen e lojtarëve nga Kosova: Këtu kam historinë e Shqipërisë, luajmë me shpirt për tifozët

Shqipëria do të luajë nesër kundër Republikës Çeke një nga ndeshjet më vendimtare të grupit E. Berat Gjimshiti dhe Silvinjo janë paraqitur sot në konferencën për shtyp në prag të kësaj sfide. Trajneri i Kombëtares shqiptare ka konfirmuar mungesën e Brojës mbrëmjen e nesërme, teksa u ka komunikuar mediave se sulmuesi i Chelsea-t nuk ia doli dot për të qenë fizikisht gati për t’u përballur e çekët.

“Kemi përpara tre finale, nesër do të luhet e para. Çekia është një skuadër shumë e fortë. Ka pësuar vetëm 2 gola dhe nuk ka humbur ende asnjë ndeshje. Kemi shumë punë për të bërë. Kemi shumë djersë për të derdhur në fushë. Ne i vizitojmë gjithnjë lojtarët. Këtë herë kemi takuar Muçin, Brojën në Londër. Ne jemi të vetëdijshëm që kemi bërë mirë deri tani. Forca e kësaj skuadre është zemra, shpirti, tifozët e saj. Për këtë arsye nuk kam pasur shumë punë në aspektin psikologjik. Jashtë ka një moment të bukur për Shqipërinë, ka entuziasë, por ne brenda  jemi të vetëdijshëm që ka shumë për të bërë.

Sa i përket Brojës, më duhet të jap një lajm të keq. Ai është stërvitur me ekipin dot për vetëm dy ditë. Mjeku ynë ka folur edhe me atë të Chelsea-t, por nuk do t’ja dalë dot për nesër. Gjasula është rikthyer dhe është gati. Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, nesër është më e rëndësishmja në afatshkurtër. Por nuk është vendimtare, nëntori është ai që do të vendosë gjithçka.

Në fushë do të shkojmë me zemër, me shpirt, sidomos për tifozët tanë. Nëse flasim për aspektin taktik, strategjia e lojës do të jetë pak a shumë e ngjashme me të parën. Çekia ka një skuadër të fortë, janë të fortë në tranzicion. Janë lojtarë nga 1.90 dhe vijnë nga 6 lojtarë në zonë. Vendimtar do të jetë nëntori. Por ekipi është i ndërgjegjshëm për situatën ku janë. Kini parasysh ndeshjen me Poloninë dhe atë në Pragë, ku në minutat e fundit mund ta fitonim. Nuk po them që meritonim ta fitonim, por them që në një ndeshje mund të ndodhë gjithçka. Nga ndeshja e parë ndryshon së pari se luajmë në shtëpi dhe mbeten edhe dy ndeshje për t’u luajtur. Dua të theksoj që kemi lojtarë të rëndësishëm që janë mësuar të luajnë në nivele të tilla, si Gjimshiti, Hysaj, Berisha apo Strakosha. Ndihem mirë për faktin që njerëzit kanë besim dhe mbështetje për njerëz si Muçi, Uzuni, Asani, Seferi. E dinë se ky ekip ka shumë vlera. Por përballë do të kemi lojtarë si Krejci, Soucek, Cvancara.

Ardhja e Mujës dhe Dakut nga Kosova? Në këtë moment e kam mendjen vetëm te ndeshja. Ne kemi lojtar nga Kosova, Maqedonia, e gjithë historia e Shqipërisë këtu. Për mua pak rëndësi ka nga është origjina. Nëse një lojtar kërkon të luajë me Shqipërinë dhe ka cilësitë e duhura, është i mirëseardhur.

Nëse nuk do të arrijmë të fitojmë nesër, do të isha i kënaqur edhe me një barazim. Por do të hyjmë në fushë vetëm për fitoren. A do të jetë Laçi në fushë? Ende nuk e kemi vendosur formacionin. Rreth 80% kemi vendosur, por mungojnë 2-3 lojtarë, që do t’i shohim nesër.”, ka deklaruar Silvinjo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *