Laçi ka marrë një fitore bindëse në ndeshjen e parë të edicionit të ri të “Abissnet Superiore“-s. Kurbinasit kanë mposhtur me shifrat 3-1 Teutën, duke dhënë sinjale pozitive edhe pas largimeve dhe afrimeve të shumta që kanë ndodhur përgjatë javëve të fundit. Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i Laçit ka folur për emisionin “TI BO GOL“, ku është shprehur i lumtur për fitoren si dhe ka premtuar se nëse do të qendrojë gjatë, atëherë do të fillojë të flasë shqip.
“Me një fitore trajneri ka të drejtë, nëse nuk fiton nuk ka të drejtë. Kemi luajtur një futboll të bukur. Deri në 3- kemi luajtur shumë mirë, por edhe më pas. Në minutat e fundit na krijuan disi probleme, por ne e menaxhuam mirë. E përsëris jam shumë i lumtur për fitoren. Kemi disa probleme me fizikun sepse nuk jemi në 100% të gjendjes tonë, por shpresoj që të rregullojmë disa gjëra deri në fund. Laçi i vitit të kaluar kishte lojtarë që luanin këtu prej kohësh.
Po flasim për lojtarë me shumë eksperiencë që luanin me njëri-tjetrin. Unë këtë grup nuk e kam, janë disa lojtarë të rinj. Megjithatë, kam lojtarë që kanë shumë uri për të fituar. Jam shumë i lumtur për lojtarët që kam dhe shpresoj të bëjmë gjëra si viti i kaluar. Unë besoj te puna ime dhe te puna e lojtarëve të mi dhe të tregojmë atë që mund të bëjmë. Nëse do të jem këtu për disa kohë, shumë shpejt do të flasim shqip”, ka deklaruar Dejan Vukiçeviç./Halit Delibashi-Sport Ekspres/