Kampionati shqiptar po e ngre nivelin e tij në krahasim me vitet e shkuara, megjithëse ka ende punë përpara për t’u përmirësuar dhe për të konkurruar denjësisht me futbollin në Europë. Krahasimi më i mirë është gjithmonë ai që bëhet me vetveten, për të parë të shkuarën dhe të tashmen.
Fakt është se vitet e fundit janë duke u prodhuar shumë lojtarë me potencial dhe që po depërtojnë në tregun europian, me bazën që është tërësisht shqiptare. E për t’iu kthyer paksa krye ndeshjes mes Partizanit dhe Vllaznisë që përfundoi në shifrat 0-0, dalloheshin jo pak lojtarë me cilësi të mira.
Por futbollisti që merrte të gjithë vëmendjen ishte Mevlan Adili. Siguri e jashtëzakonshme në ndërhyrje, në disa raste duke provuar edhe sparkatat që të ngjallin kujtimet e bukura të Lorik Canës te Kombëtarja, pa harruar edhe kontrollin e topit.
Qetësia olimpike me të cilën Adili kontrollonte topin kur lojtarët e Partizanit ishin gjatë gjithë kohës duke bërë presing të lartë, mënyra sesi arrinte të dilte prej situatave të vështira me një lëvizje “mashtruese” për kundërshtarët, e bënë atë padyshim që të cilësohet si mbrojtësi modern i Superiores.
Pra jo vetëm që të jetë i saktë për ndërhyrjet, por të ketë edhe saktësi të madhe në përdorimin e topit. E nëse kjo vjen në një “finale” ndaj Partizanit dhe në një terren tërësisht të rënduar nga shiu dhe pjesërisht i përfshirë nga balta, vlerësimi është dy herë më i madh.
Kjo performancë nga ana e Adilit vjen në vazhdimësinë e shumë ndeshjeve të nivelit të lartë që ka zhvilluar në këtë sezon të Superiores, për t’u cilësuar si një nga mbrojtësit më të mirë të kampionatit tonë. Padyshim që trajneri Brdariç e ka gjetur liderin kryesor me të cilin do të udhëheq luftën e titullit kampion. Për këtë duhet me patjetër një fortesë, që është e pamundur për t’u thyer dhe që jep gjithmonë garanci në momentet më të vështira. Kalaja e Shkodrës ndërron emrin, kjo fortesë quhet Mevlan Adili! /Sport Ekspres/