Kakà: Gabova që shkova te Reali, me Murinjon nuk funksionoi

0

Rikardo Kaka ka qenë një ndër futbollistët më të mirë në botë në vitet 2000, duke lënë mbresa të paharrueshme te tifozët e Milanit, që ende e kujtojnë me nostalgji. Megjithatë, në Madrid braziliani nuk është se kujtohet me mall, përkundrazi. Largimi nga Milani për te Reali është gabimi më i madh në karrierën e djaloshit të artë, që në Itali ishte një mbret. Tani ish-Topi i Artë i kthehet asaj periudhe, duke folur për portalin brazilian UOL.

“Në vitin 2009 pranova ofertën e Realit, por pasi shkova në Madrid u shkatërrova, pasi nuk dhashë dot atë që kisha treguar te Milani. Isha krejtësisht i humbur. Në Itali më donin të gjithë, ndërsa në Spanjë donin që të ikja sa më parë. Zhoze Murinjo ishte një trajner i vështirë për mua. Kishim respekt për njëri-tjetrin, por gjërat ishin të ndërlikuara mes nesh. Kur mendoja se do të më jepte një mundësi, nuk ndodhte kurrë. Nuk i tregova dot se gëzoja formë të mirë. U stërvita shumë, luftova shumë dhe u luta shumë, por kur nuk e fitova besimin e trajnerit, kuptova që nuk mund të punoja më me të. Isha shumë i lumtur kur u ktheva prapë te Milani, ndërsa Murinjo më nisi një mesazh ku më shkruante se isha një ndër lojtarët më profesionistë që kishte stërvitur ndonjëherë”.

Megjithatë, pengu më i madh për yllin brazilian nuk është Reali: “Humbja më e rëndë, por edhe leksioni sportiv më i madh që kam marrë është ai ndaj Liverpulit në vitin 2005. Mësova që fitorja nuk kontrollohet. Pas asaj sfide u thanë shumë gjëra sikur ne festuam në pushim, por janë të gjitha gënjeshtra. Nuk di ta shpjegoj si i pësuam tre gola, kishim skuadër të madhe, me mbrojtje të shkëlqyer”.

E ardhmja: “Si spektator në stadium ndihem shumë mirë. Në të ardhmen nuk e di, nuk e shoh veten as si trajner, as si opinionit. Ndoshta mund të bëhem drejtues, por jo tani”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.