Ka mundësinë të debutojë ndaj Kosovës, prodhimi i akademisë bardheblu merr ftesën e Rejas

Kombëtaren shqiptare e presin përpara 3 ndeshje në muajin në nëntor. Gjithçka do të nisë me një vëllazërore me Kosovën, për të kaluar më pas me përballjet në Ligën e Kombeve. Bjellorusia dhe Kazakistani janë dy sfidat në të cilat kuqezinjtë do të kërkojnë fitoren për të përmbushur objektivin e të dalurit në vendin e parë në grup.

Edi Reja ende nuk e ka bërë publike listën e futbollistëve që do të ketë në dispozicion për ndeshjet e ardhshme, megjithëse disa dilema i ka zgjidhur. Një prej tyre është edhe Albi Doka, i cili ka marrë sërish ftesën e trajnerit të Kombëtares. Këtë e konfirmon vetë klubi i Goricës, që njofton se mbrojtësi shqiptar i dalë nga Akademia bardheblu e Tiranës do të grumbullohet me kuqezinjtë në datën 9 nëntor.

Kjo është ftesa e dytë për Albi Dokën, teksa edhe në ndeshjet e muajit të shkuar ishte nën urdhërat e Rejas, pavarësisht se nuk mundi të bënte dot debutimin në fushën e lojës, me Veselin që zuri vendin në krahun e majtë. Ndoshta ndeshja me Kosovën mund të jetë momenti i debutimin për ish-lojtarin e Tiranës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *