Në këtë Shqipërinë tonë të vogël gjithmonë jemi mësuar me shkrime dhe lajme që godasin personazhe të caktuara, në shumë raste duke nxjerrë mllef dhe vetëm anë të errëta. Ndërkohë linja jonë ka qenë gjithmonë për të nxjerrë në pah të mirat që vijnë nga futbolli shqiptar.
Jo vetëm lojtarë, janë edhe trajnerët shqiptarë që po korrin suksese edhe jashtë Shqipërisë zyrtare. Ilir Daja ka fituar titullin kampion për herë të tretë radhazi te Ballkani. Nga krahu tjetër, Shpëtim Duro ka fituar titullin kampion për herë të dytë radhazi me Strugën.
Pavarësisht largimit të tij në momentet e fundit, me Duron ekipi arriti të siguronte 58 pikë, nga 64 që e shpallën kampion. Gjithashtu vlen të theksohet se Struga është nën drejtimin e njeriut që ishte asistenti i Shpëtim Duros, pra u ndoq e njëjta filozofi dhe mënyrë loje e gjithë sezonit edhe në ato pak ndeshje të mbetura.
Këtë e dinë fare mirë edhe drejtuesit e klubit që i dërguan një ftesë Shpëtim Duros për të qenë në festën e madhe, por për shkaqe shëndetësore, trajneri nuk mund të gjendej aty. Flasim për një ekip që ka më pak se gjysma e buxhetit të Ballkanit dhe mbi të gjitha, lojtarët e saj më të rëndësishëm janë në moshë të madhe, +33-vjeç. Por pavarësisht të gjithave këtyre vështirësve, Duro dërgoi titullin për herë të dytë te Struga. Meriton duartrokitje dhe përgëzime nga të gjithë…