Juve-Torino, 22 vite pritje për një sukses “granata”

Bardhezinjtë do t’u besojnë statistikave, ndërsa “Toro” do të kërkojë të ripërsërisë suksesin e 1995-s dhe t’i japë një asist Napolit

Juventus-Torino, derbi torinez ka ndezur qytetin verior të Piemontes. Një përballje sa e bukur, aq edhe e paparashikueshme, ose të paktën në letër. Kjo, pasi përballja ndërmjet bardhezinjve dhe skuadrës “granata” në të shumtën e rasteve, në çdo stadium të Torinos të jetë luajtur, numëron më shumë suksese të kampionëve të Italisë. Janë pikërisht të besuarit e Alegrit ata që sot, në “Allianz Stadium” do të kërkojnë të mbajnë të pathyer rekordin e tyre dhe të mbajnë hapat e kreut me Napolin. Nga ana tjetër, Torino ka një dëshirë. Të besuarit e Mihajloviçit do të tentojnë të përsërisin ndeshjen e përpara 22 vitesh, me Ljajiç dhe Belotin në fushë ata shpresojnë.

STATISTIKAT – 9 prill 1995: kjo është data e fitores së fundit të Torinos në një derbi të luajtur larg shtëpisë. Në atë ndeshje ka qenë Riçiteli, me një dopietë, ai që i ka dhuruar suksesin skuadrës “granata”. Në mes, autogoli i Maltaljatit, ka lejuar bardhezinjtë që të gjenin barazimin e përkohshëm. Nga ajo e diel e para 22 viteve e deri më sot kanë ardhur 9 fitore për bardhezinjtë (8 në kampionat dhe një në Kupën e Italisë) dhe 3 barazime. i fundit është regjistruar në sezonin e shkuar: Ljajiç ka kaluar në avantazh Torinon, ndërsa vendasit kanë barazuar në kohën shtesë me Higuain. Sot në mbrëmje, Torino do të ketë një mundësi të re për ta thyer atë tabu që reziston prej më shumë se njëzet vitesh. Është një rast i artë, sepse Juventus nuk ka bindur me paraqitjet e bëra në ndeshjet e para të këtij sezoni, pa harruar se e pret një ndeshje shumë e rëndësishme në Champions League kundër Olimpiakos, veçanërisht pas humbjes së pësuar në “Camp Nou”.

NDESHJA – Pas barazimit 1-1 të sezonit të kaluar, tifozët “granata” presin diçka më shumë. Ljajiç dhe Beloti po kalojnë një moment të shkëlqyer forme. Të dy bashkë, në këto ndeshje të para të kampionati, kanë realizuar që tani gjashtë gola dhe katër asiste, shifra këto që mund të kishin qenë akoma më të mira me pak fat. Torino që do të zbresë në “Allianz Stadium” do të jetë më i forti i njëzet viteve të fundit, një ekip që e ka të qartë objektivin për ta mbyllur kampionatin mes shtatë vendeve të para, në mënyrë që të mund të luajë në një kompeticion evropian sezonin e ardhshëm. Nga ana tjetër, një Juventus akoma larg formës më të mirë dhe me mendjen te Olimpiakos mund të përfaqësojë mundësinë më të mirë për Torinon që të thyejë tabunë dhe të fitojë një derbi në transfertë pas 22 vitesh, që kur lojtarët mbanin akoma numrat nga 1 te 11 dhe fanellat ishin akoma pa emrat e futbollistëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *