Jurgen Goxhja kërkon 3 penallti: Te Teuta nuk i kanë sytë në vend, ne nuk “fluturojmë me pras”

Jurgen Goxha nuk ka mbetur i kënaqur nga arbitrimi në përballjes mes Bylisit dhe Teutës. Kështu, sipas lojtarit ballshiot ajo që ndikoi në barazimin pa gola ishin 3 penallti të mohuara për ekipin e tij.

Ndërsa kur i kthehet së shkuarës, nuk lë pa përmendur edhe periudhën e kaluar te durrsakët, duke thënë se nuk i kanë sytë në vend. Me këmbë në tokë edhe falë presidentit Kapllanaj, siç do të shprehej qartë Goxha për “Ora Sport”:

“Më vjen shumë keq që barazuam me Teutën sepse kishim disa raste dhe nuk i shfrytëzuam dot. Sot na mohuan 3 penallti. Ne jemi ekipi për t’u mundur, kemi 9 ndeshje që nuk pësojmë humbje.

Stërvitemi shumë që të japim maksimumin. Po tregojmë sepse nuk jemi rastësisht këtu. Lojtarët e rinj janë premtues si: Qardaku, Ndreca, Guindo, Mëllagja, por lojtarë me eksperiencë si Bicaj, Hidi na kanë dhënë më tepër siguri. Rrimë gjithë kohës bashkë, jemi një grup i bashkuar.

Nuk fluturojmë me pras. Është presidenti ai që na mban me këmbë në tokë dhe i qëndron shumë pranë ekipit pranë. Na karikon për çdo ndeshje. Sot ishte i mërzitur sepse donte fitoren, por ne dhamë maksimumin.

Ekipet që marrim barazim në Ballsh duhet të kënaqen. Teuta ka lojtarë cilësor si Kallaku apo Arapi, por ne i kemi të qartë objektivat dhe sot meritonim fitoren.  Tek Teuta nuk i kanë patur sytë në vend. Nuk më kanë parë, unë aty kam qenë gjithë jetën. Kam luajtur me të rinjtë e Shkollës Sportive “Benardina Qerraxhia”, në Durrës, por nuk më morën në ekip sepse isha lojtar i shkollës. Është për të ardhur keq. Të gjithë në klub më kanë nënvlerësuar, por unë jam ku jam”, ka thënë Goxha. /Sport Ekspres/