Vitet e fundit Mançester Junajtid ka përjetuar një krizë të thellë në aspektin sportiv, duke mbetur jashtë garës për titull dhe duke mos shkëlqyer as në Europë. Ajo që evidentohej ishte loja aspak e bukur dhe tërheqëse e Djajve të Kuq, që ndryshuan disa trajnerë, derisa investuan fuqimisht për të marrë Zhoze Murinjon, i cili fitoi Europa Ligën në fund të sezonit të shkuar.
Megjithatë, edhe tani loja e Junajtid nuk mahnit askënd dhe pas humbjes së hidhur në derbin e madh ndaj Sitit ish-trajneri i skuadrës angleze, Luis van Gal, ka dalë hapur, duke kritikuar Murinjon dhe duke mbrojtur lojën që ai bënte kur drejtonte Junajtid, para se ta zëvendësonte Murinjo vitin e shkuar.
“Punova në rrethana shumë të vështira dhe ishte viti im më i mirë në karrierë si trajner. Ne luanim futboll të pranueshëm, por në Angli nuk e çmojnë cilësinë e futbollit. Megjithatë, duke parë Junajtid tani, më duhet të them se Murinjo nuk po kritikohet, edhe pse futbolli i skuadrës së tij është shumë më i mërzitshëm. Tani Junajtid luan vetëm futboll mbrojtës, ndërsa me mua Junajtid luante në sulm dhe rivalët parkonin autobusin. Tani nuk e bëjnë më, sepse Murinjo luan futboll shumë mbrojtës”, tha Van Gal për Fox Sports në Holandë.