Ndeshje spektakolare në “Emirates”. “Djajtë e kuq” triumfojnë falë cinizmit të tyre dhe gabimeve trashanike të Arsenalit. De Gea madhështor. Pogba, të kuqe dhe mungon në derbi
Mançester Junajtid ka kthyer diferencën prej 5 pikësh me Sitin kryesues pas fitores së madhe të arritur në “Emirates Stadium” përballë arsenalit 3-1. Në një ndeshje spektakolare, kanë vendosur kundërsulmi vrasës i Mançesterit dhe mbrojtja qesharake e Arsenalit. Antonio Valencia dhe Lingard dy herë kanë shënuar për Mançesterin, teksa Lakazet ka shënuar golin e vetëm për “Topçinjtë”. Arsenali ndonëse e ka dominuar takimin ka pësuar një humbje shokuese, ku veç të tjerave një meritë e madhe i shkon dhe portierit të Mançester Junajtidit, David de Gea me disa pritje madhështore.
Shpejt e shpejt dy për Junajtid – Ndeshja ka nisur me dy gola të shpejtë të Mançesterit. Dy gabime trashanike të mbrojtjes së Arsenalit dhe “Djajtë e kuq” nuk falin. Valencia (4’) dhe Lingard (11’) ndëshkojnë gabimet e Bejerin dhe Mustafit – ky i fundit del dhe nga loja i dëmtuar – duke i dhënë epërsinë e dyfishtë Mançesterit. Edhe Murinjo nuk e kishte menduar një fillim të tillë, teksa pas golit të dytë del të festojë nga stoli.
De Gea magjistar – Dy golat e shpejtë tronditin Arsenalin, por “Topçinjtë” nuk kanë ndër mend të dorëzohen shpejt. Venger shtyn ekipin përpara dhe Arsenali nis të prodhojë volum të jashtëzakonshëm loje dhe raste të panumërta. Vetëm në pjesën e parë numëron 15 gjuajtje në kuadrat. Lakazet, Ozil, Xhaka, Aleksis, madje dhe mbrojtësit e Arsenalit tentojnë të shënojnë, por spanjolli është i pakalueshëm. E pabesueshme pritja e tij në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë përballë shokut të ekipit Lukaku, që për pak sa nuk ka shkaktuar një autogol. Junajtid është vërtet me fat që 45 minutat e para i mbyll pa pësuar në epërsi 2-0. Ndonëse me hapësirat që ka lënë Arsenali prapa mund të kishte shënuar dhe ndonjë gol më shumë.
Lingard i përgjigjet Lakazet – Pjesa e dytë nis ku mbaroi e para, ndeshje që të lë pa frymë, me raste nga të dyja ekipet. Arsenali derdhet në sulm në kërkim të golit dhe ia arrin falë një kombinimi të shkëlqyer Alekis-Ramsej-Lakazet. Francezi nuk fal dhe kthen Arsenalin në lojë (49’). Tri minuta më pas Arsenali është me fat, teksa pas një kundërsulmi, Lingard i vetëm me Çeh godet shtyllën pas devijimit të portierit të “Topçinjve”. Por Çeh nuk ka çfarë të bëjë dhjetë minuta më pas kur pas një tjetër çoroditje të mbrojtjes së Arsenalit, Pogba merr përpara të gjithë dhe shërben për Lingard që me portën bosh shtyn topin në rrjetë duke kthyer dy golat epërsi për Junajtidin.
Pogba me të kuqe – “Game over” siç preferojnë anglezët? Ndoshta, sepse 16 minuta nga fundi Pogba shkakton një faull të shëmtuar në dëm të Bejerin, duke u ndëshkuar me karton të kuq. Francezi ironizon gjyqtarin, duke e rënduar dhe më tej veten, teksa e sigurt do të jetë mungesa e tij në derbin e javës së ardhshme kundër Sitit. Venger përpiqet të shfrytëzojë epërsinë numerike duke hedhur në sulm dhe Uellbek e Zhiru, por Junajtid i gjithi në mbrojtje reziston deri në fund dhe merr tri pikë tepër të rëndësishme në Londër. Murinjo ia del përsëri kundër Vengerit!