Juliano surprizon me Çanin, Adorjan nga minuta e parë

Trajneri ka provuar shtatlartin duke ulur në stol Sukajn. Skema është 4-2-3-1. Mesfushori hungarez pjesë e titullarëve. Rikthehen Batha dhe Hoxha 

Trajneri Mark Juliano ka punuar edhe me formacionin që do të hedhë nga minuta e parë në fushën e lojës. Tekniku italian i ka dhënë edhe fund dilemave, ndërkohë që i gëzohet edhe rikthimit të Alban Hoxhës në portë, si një siguri më tepër për ndeshjen kundër Kukësit.

Italiani e ka ndjerë jo pak dëmtimin e Fejzullahit, pasi është detyruar që të ndryshojë përsëri renditjen në mbrojtje. Megjithatë, ashtu siç e tha edhe vetë në konferencën për shtyp dilema mbetet Çani dhe Sukaj. E duket se trajneri italian ka surprizuar jo pak, pasi titullar pritet të jetë afrimi i bujshëm i verës.

FORMACIONI – Në portë do të jetë nga minuta e parë portieri Alban Hoxha. Pas dënimit dhe pankinës me Laçin, “gardiani i portës” rikthehet si titullar. Vendosja e tij në portë është siguri më shumë, pasi mbetet prej portierëve më të mirë shqiptarë të viteve të fundit. Pas dëmtimit të Fejzullahit, Juliano është i detyruar të improvizojë. Ibrahimi vendoset në krahun e djathtë, një rol që e njeh, pasi e ka bërë edhe më parë, ndërsa në qendër vendosen Krasniqi dhe Atanda. Në të majtë i është besuar Kotobellit.

Batha rikthehet në formacion dhe do të vendoset para mbrojtjes me La Kamera. Kapiteni dhe italiani do të jenë “tapat” përpara repartit defensiv. Në mesfushë, rolin e organizatorit do ta marrë Adorjan, ndërsa Progni dhe Trashi do të vendosen nga krahë. Vila është i sakrifikuari i formacionit të Partizanit.

SULMI – Surpriza e ndeshjes së sotme pritet të jetë Edgar Çani. Shtatlarti do ta nisë me shumë mundësi nga minuta e parë. Juliano e ka provuar në formacion dy ditët e fundit, duke ulur Sukajn në stol. Shkodrani luajti si titullar ndaj Laçit, ndërsa duket se ndeshjen ndaj Kukësit do e nisë nga stoli. Kjo ka mërzitur jo pak Sukajn. Çani duket në formë dhe minutat e goli në kupë e kanë liruar. Stafi teknik beson shumë te aftësitë e tij.

Formacioni i mundshëm i Partizanit    

              Hoxha

Ibrahimi Krasniqi Atanda Kotobelli

          Batha La Kamera

Progni    Adorjan       Trashi

               Çani

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *