Juliano apo Duro, kush i ka nervat më të forta?

Partizani dhe Flamurtari përballen për vendin e tretë. “Demat” për vazhdimësinë, vlonjatët për konfirmimin si pretendentë

Partizani dhe Flamurtari do të përplasin brinjët sot, prej orës 17:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Të kuqtë vijnë pas 3 fitoreve radhazi, ndërsa vlonjatet, pasi janë kthyer te fitorja me Kamzën, në një sfidë të kontestuar jo pak.

“Demat” pas 4 ndeshjeve të para të dobëta, kanë rritur nivelin dhe shohin vetëm për lart. Për momentin ndodhen në vendin e 4-ët, vetëm një pikë larg Flamurtarit të vendit të tretë. Vlonjatët kanë zhvilluar një kampionat të mirë dhe kanë arritur të shfaqen si një skuadër mjaft e fortë me pretendimet e veta.

Sfida e sotme do të jetë mjaft vendimtare edhe për ecurinë e skuadrave, pasi si Partizani e si Flamurtari kanë nevojë për pikë dhe të ruajnë ecurinë.

Sfida e orës 17:00 pritet të jetë një kartolinë e bukur e futbollit shqiptar, pasi do të përballen dy skuadra me mjaft cilësi brenda. Ndër lojtarët më të mirë të Superligës do të zbresin në fushë.

TRAJNERËT – Nëse sfidat kundër Skënderbeut dhe Kukësit s’kanë nevojë për shumë motivim, pasi lojtarët e dinë se duhet të japin 100 për qindëshin, në një takim delikat si ky i sotmi, trajnerët do të kenë një rol thelbësor. Duro është më i avantazhuar në këtë pjesë, pasi njihet si një specialist i kampionatit shqiptar, ndërsa Juliano është ende në proces njohje e sipër. Numri një i stolit të kuq e vlerësoi së tepërmi, ish-trajnerin e Partizanit duke shfaqur edhe respekt ndaj tij, ndërsa sot do të mundohet ta mposhtë. Në “Selman Stërmasi” është gjithçka për t’u shijuar, në një takim që do të vendosë edhe vendin e tretë në renditjen e klasifikimit.

Formacionet e mundshme

Partizani: Hoxha – Progni, Malota, Krasniqi, Kalari – Batha, La Kamera, Vila – Trashi, Basrak, Adorjan

Flamurtari: Nurkoviç – Siljanovski, Jakovjeviç, Bicaj, Musta – Useini, Pollozhani, Sidibe – Zhufo, Bushiç, Alvesh

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *