Gjesti i Ziyech për të dhuruar për bamirësi për të gjitha të ardhurat që siguron nga Kombtarja e Marokut ka shtyrë Altin Sulçen të japë një këshillë edhe për lojtarët shqiptarë. Gazetari ka dhënë një mesazh për futbollistët e Kombëtares kuqezi gjatë emisionit “Botërori Katar 2022“ në “Ora TV“, të cilëve u tërheq vëmendjen për të treguar më shumë bujari me paratë që sigurojnë nga grumbullimi me Shqipërinë.
“Ai (Ziyech) ka 7-8 vjet që të gjitha lekët që ka marrë nga ekipi kombëtar i ka dhënë për bamirësi. Nuk është vetëm Botërori, sepse i mjaftojnë lekët e klubit. Ndonjëherë duhet të jesh edhe i kënaqur me atë që të jep Zoti. Për shembull, këta të Kombëtares sonë ndonjëherë nuk e bëjnë këtë. Marrin nëpër 1 milionë, ka lojtar që marrin 1.5 milionë, 2 milionë euro dhe kur luajnë me ekipin kombëtar, janë ca lekë atje që marrin çdo ditë për grumbullimet. Po jepja ca fukarenjve këtu, sepse ty të ka dhënë Zoti jo me një dorë, por me të dyja.
Me 2 milionë euro që merr në sezon, do marrësh edhe ato 200 euro që të japin në ekipin kombëtar? Është një leksion për ata që ta dëgjojnë këtë. Të mos bien në vesh të shurdhët. Të tregojnë pak zemër dhe të ndihmojnë disa njerës, sepse ky është sporti”, ka tërhequr vëmendjen Altin Sulçe./Halit Delibashi-Sport Ekspres/