“Zeqir Ymeri” në Kukës ka mbetur njëlloj si më parë, pasi punimet nuk mund të nisin për shkak se bashkia nuk ka dhënë lejen. E thotë diçka të tillë Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit.
“Në Kukës ende nuk kemi marrë lejen nga bashkia, diçka e çuditshme pasi i stadium do i takojë Kukësit dhe jo FSHF-së”, shprehet kreu i FSHF-së në një intervistë të gjatë të dhënë në Supersport. Ai flet edhe për stadiumin e ri që do të bëhet në qytetin e Fierit.
“Në Fier kemi gjetur një vend të mirë për stadiumin e ri. Kemi gjetur dhe mbështetjen e bashkisë për një impiant me 6000 ose 8000 vende”, tregon Duka, i cili më tej tregon se kanë në plan të bëjnë 30 fusha stërvitore në gjithë Shqipërinë. Kjo do ishte diçka shumë pozitive që do e masivizonte futbollin.
“Gjithashtu kemi një projekt për të ndërtuar 30 fusha me bar në të gjithë Shqipërinë. E kam thënë dhe më par duhet që buxheti i shtetit të kontribuojë për shtimin e fushave. Në Shqipëri merren vetëm 20 mijë fëmijë me futboll, kjo për shkak se nuk kemi fusha. Edhe numri i femrave është shumë i vogël, kjo dhe për shkak se ato kërkojnë natyrisht kushte më komode për ta praktikuar këtë sport”, ka deklaruar Duka.