“Jo vetëm kaluam klasën, por morëm notë të lartë”! Armand Duka tregon përshtypjet e UEFA-s për finalen e Shqipërisë: Ishin skeptik në 2017, e panë 400 milionë njerëz

Armand Duka ka dalë në konferencë për shtyp gjatë ditës së sotme. Kreu i FSHF ka folur për organizimin e finales së Conference League, ku Shqipëria ishte në kryeqendër të vëmendjes mediatike europiane. Duka është shprehur se vlerësime maksimale kanë ardhur nga zyrtarë të UEFA-s, presidenti i saj Ceferin, ndërsa falenderoi të gjithë pjesëtarët që e bënë të mundur mbarëvajtjen e një eventi të tillë.

“E gjithë administrata e UEFA-s ka pasur vetëm fjalë të mira dhe përqafime, që unë doja t’i ndaja me të gjithë ju që bëtë të mundur një organizim të tillë. Sot jam këtu me krenari me një pjesë të stafit të Federatës që bën të mundur një aktivitet të tillë, që ishte në perfeksion. Kjo ndeshje u transmetua në 155 shtete të botës dhe u pa nga 400 milionë shikues në botë.

I uroj fitoren Romës. Askush nuk do ta mendonte disa vite më parë që FSHF dhe Shqipëria të mbyllte me sukses një event të tillë, të këtij niveli. Në 2017 kur ne aplikuam për një finale të tillë, shumëkush e quante të pamundur dhe bënin ironi drejtuesve të FSHF pasi Shqipëria nuk mund ta kishte një të tillë. Por tani jo vetëm që erdhi, por edhe shkoi me sukses.

Kjo ishte përgjigja jonë për ata që menduan se ne nuk mund t’ia dilnim. Nëse nuk do të ishte puna e mirë e Qeverisë dhe  Bashkisë, asgjë nuk mund të shkonte kaq mirë. Një falenderim shkon edhe për kryeministrin Rama. Dikush mund ta quajë edhe servilizëm, por unë nuk e njoh një gjë të tillë. Ai ka pritur aneksat tona dhe të UEFA-s për këtë finale. Të gjithë drejtuesit e Federata homologe dhe presidenti i UEFA-s kanë qenë shumë të kënaqur dhe na kanë dhënë notat maksimale. Jo vetëm që kaluam klasën, por morëm notë të lartë.

Për të pasur një tjetër finale si Champions League, Europa League apo Conference League tani është e pamundur për kapacitetin e stadiumit, por për të pasur një finale Superkupe apo ndonjë tjetër event të rëndësishëm europian, i kemi të gjitha mundësitë dhe duhet të jetë objektivi i radhës”, tha Duka. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *