Jo vetëm Alen Sherri! Transferimi që do ta dërgonte futbollin shqiptar në nivel tjetër, ekipi i Serisë A kërkon lojtarin e Partizanit

Futbolli shqiptar ka ndryshuar shumë në vitet e fundit, ndërsa e vetmja gjë që i mbetet për të arritur është pjesëmarrja e ekipeve shqiptare në grupet e kompeticioneve europiane. Por çfarë ka ndodhur në këtë merkato vere, një fenomen i rrallë për ne? Pikësëpari, Alen Sherri që mbërrin nga Shqipëria në Serinë A. Pavarësisht faktit se disa mund ta mendojnë më të lehtë, në fakt është shumë e vështirë që tregu shqiptar të prodhojë portierë dhe të investohen tek ta nga tregu i huaj dhe veçanërisht Serie A, një nga pesë kampionatet më të forta në Europë.

Por jo vetëm Sherri, një tjetër lojtar mund të përfundojë nga Shqipëria në Serinë A. Tani janë hequr edhe trampolinat, nëse më parë Muci duhej të kalonte njëherë nga Legia, nëse Uzuni dhe Rrahmani duhej të kalonin nga Kroacia për të mbërritur në Spanjë dhe në Itali, bileta tashmë është me një linjë dhe pa ndalesa. Sipas “Gazzetta dello Sport”, Venecia, ekipi i Serisë A ka hedhur vështrimin te mefushori i Partizanit, Maguette Gueye. Ky i fundit do të ndiqet me vëmendje edhe në ndeshjet e radhës së Europës që do të luajë Partizani dhe Di Franceso po sheh seriozisht mundësinë për ta afruar në organikën e skuadrës. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/