“Jo të gjithë mund të flasin për futbollin”, Bejleri për largimin nga “Procesi Sportiv”: Le të flasim hapur, u lodhëm me klishetë

Ilda Bejleri u largua nga “Supersport” pas shumë vitesh kontributi në televizionin e njohur sportiv, për të nisur një eksperiencë të re te “Procesi Sportiv”. Duke prezantuar së bashku me Manushin, kjo aventurë nuk do të zgjaste shumë dhe vetë Bejleri ka treguar arsyet.

Në një intervistë për “Edicionin Verior 2020” që transmetohet në “ABC News”, kuptohet qartazi se çfarë e ka shtyrë prezantuesen për të mos qenë më pjesë e “Procesit”. Sipas Bejleri jo të gjithë mund të flasin rreth futbollit ndërsa minutat kanë rëndësi të madhe, ndërsa për këtë arsye kërkon që të gjendet në një projekt më serioz.

“Nuk është se ndodhi gjë me Procesin Sportiv, vetëm se Koronavirusi na kapi të papërgatitur. Eksperienca ime në atë emision ka qenë shumë e bukur dhe diçka për t’u provuar. Por 11 vite në Digitalb më kishin bërë që të mësohesha vetëm në prezantim. Ishte një sukses me Manushin pasi shikueshmëria ishte shumë e madhe dhe kjo vërteton se ndjekësit e mi janë kudo që unë shkoj. Pra ndjekin Ildën dhe jo programin. Jemi lodhur pak me këto klishetë dhe janë lodhur shikuesit.

Sporti ka nevojë për analizë reale, për ata që thonë të vërtetën, që e kanë profesion dhe dashurojnë futbollin. Aty ku flasim le t’i themi gjërat hapur dhe të themi të vërtetën, për të nxjerrë konkluzionin. Vetëm në këtë mënyrë mund të krahasohemi me Italinë dhe vendet e tjera. Pra jo çdokush mund të flasi për futbollin dhe ato minutat janë të rëndësishme për të gjithë ata që na ndjekin. Në momentin që unë shoh se nuk më mbushet mendja, atëherë kthehem me një gjë shumë serioze, me analiza serioze, me njerëz që dinë të flasin për futbollin ashtu siç duhet”, u shpreh Bejleri. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *