Jo, nuk po vjen në shtëpi! Spanja vendos rekord me Europianin e 4-t në histori, një gol në minutat e fundit dëshpëroi anglezët

Spanja është kampione e Europës. “Furia e kuqe” mori përpara “tre luanët” e Sauthgejtit në Berlin. Spanjollët mposhtën Anglinë me rezultatin 2-1.

Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, por në të dytën mjaftuan pak sekonda që Niko Uilliamsi të zhbllokonte rezultatin. Anglia u kundërpërgjigj në minutën e 73-të me anë të një goli për notën 10 nga Kol Palmeri. Kur dukej se ndeshja do të shkonte drejt kohës shtesë, Ojarzabali u shfaq si geroi i Spanjës. Sulmuesi e shtyu topin drejt rrjetës në minutën e 87, duke dëshpëruar anglezët.

Finalja përfundoi me rezultatin 2-1 në favor të iberikëve, që vendosin rekordin në Kampionatin Europian. Trofeu i katërt në historinë e Kombëtares spanjolle, më shumë se çdo ekip tjetër kombëtar në këtë kompeticion. Ndërkohë ky është zhgënjimi i dytë radhazi për anglezët. Ashtu si në EURO 2020-n, edhe këtë herë trofeu nuk vjen në shtëpi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/