Prej ditësh po flitet për transferimin e Valon Berishës nga Salcburgu te Sampdoria dhe tashmë marrëveshja duket e kryer, për 7 milionë euro plus 1 bonus, ndërkohë që mesfushori i Kosovës ka dhënë aprovimin e tij, pas një vizite në Xhenova dhe një bisede me drejtuesit e lartë të Sampit.
Klubi gjenovez nuk ndalet me kaq dhe duket se është fiksuar pas mbiemrit Berisha, sepse tashmë edhe Etriti është një synim madhor. Portieri i kombëtares sonë është titullar fiks tek Atalanta, por kjo e fundit ka disa portierë cilësorë, duke qenë se në ekip është 23-vjeçari Golini dhe nga Fiorentina kthehet 26-vjeçari Marko Sportielo, portier mjaft cilësor.
Duke qenë se Etrit Berisha është një portier që ka shkëlqyer sezonet e fundit dhe vlera e tij në treg është e konsiderueshme, tashmë Atalanta është gati ta shesë, duke vijuar politikat e rinovimit dhe arkëtimit të milionave.
Berisha te Sampdoria do të ishte sërish titullar fiks, sepse sapo është larguar titullari Emiliano Viviano.