Nga Klaudio Ndreca
Prej disa ditësh ka dalë në mediat sportive edhe emri i Alban Xhaferit, si një kandidat i mundshëm për të marrë Vllazninë. Bëhet fjalë për njeriun që e drejton si president klubin e basketbollit, por nisur nga kërkesat e tifozëve, mund të marrë edhe ekipin e futbollit të shkodranëve.
Të gjithë tifozët janë me shpresën që një gjë e tillë të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur, pasi e dinë fare mirë historinë sesi do të vazhdojë. Vetëm duke marrë për bazë mënyrën sesi u ngrit ekipi i basketbollit të Vllaznisë në drejtimin e Alban Xhaferit, duke rimbushur edhe njëherë pallatin e sportit, për t’i dhënë jetë.
Një njeri që nuk ka asnjë precedent penal, vjen nga bota e biznesit dhe është shembullor, duke mos pasur as mbështetje partiake. E thënë ndryshe, një model që ofrohet për futbollin e Superiores që t’i shtohet një president i tillë klubi. Por a do t’ia besojë Voltana Ademi drejtimin e skuadrës këtij modeli të ri që na ofrohet? Nëse vërtet e dëshiron aq shumë sa edhe shprehet, atëherë Voltana duhet që të zgjedhë për t’u ndarë me Vllazninë, vetëm për arsyen se kjo e fundit vetëm në këtë mënyrë mund të jetë e lumtur. Atëherë, le të bëhet një sakrificë, fundja është për hir të dashurisë. /Sport Ekspres/