“Nuk më duket ekip që bën histori në Europë”, Redi Jupi flet për Tiranën e Shehit: Vjet doli kampion Teuta, nuk ka konkurrencë

Redi Jupi tërhoqi vëmendje të madhe me deklaratën e bërë në emisionin “Zona Gol” në “Supersport”, ku e cilësoi Tiranën e këtij viti si një nga ekipet më të dobëta të Tiranës në historinë e saj si kampione e Shqipërisë. Ish-futbollisti i njohur ka sqaruar më qartësisht fjalët e tij në studion e emisionit “Procesi Sportiv”. Jupi thekson se Tirana nuk e bind se mund të shfrytëzojë mundësitë e mëdha që ekzistojnë për të shkuar në grupet e Conference League-s.

“Deklarata ime për Tiranën është shkëputur nga një diskutim më i gjatë. Ishte më teknik diskutimi. Kishim më shumë kohë dhe i hymë pak historisë së ekipeve kampione të Tiranës. Mua më duket që ky nuk është ekipi më i mirë në ato ekipe që Tirana ka dalë kampion. Dhe diskutimi ishte për kampionatet në përgjithësi. Vjet ne na doli kampione Teuta. Ishte një skuadër shumë e thjeshtë. Nuk kishte stofin për një kampione të legjitimuar, jo teknikisht në fushë, por që të jetë imponuese dhe që të mbetet në memorien e publikut. Në këtë moment ne kemi një shans shumë të mirë me ekipet tona. Dalja në Champions League e ekipit kampion, nëse eliminohet prej andej shkon në Europa League dhe nëse eliminohet edhe prej andej shkon në Conference League.

Opsionet janë shumë të rritura dhe nëse skuadra është e fortë, e mirëpërgatitur dhe me kapacitetet e duhura, mund të futet në grupet e Conference League-s. Por mua nuk mu duk që Teuta të ishte me stofin e asaj skuadrës që të arrinte gjithë këtë oportunitet sipas skemave të reja. Mbase Tirana këtë vit është më e fortë, më e mirë. Por nuk është se Tirana nuk bëri mirë, bëri një kampionat dinjitoz. Por munguan shumë skuadrat e tjera. Nuk ia vështirësuan. Deri në një moment të caktuar kishte rivalitet me Lacin, por Laci që me atë humbje me Tiranën u dorëzua. I bëri tre golat vetë në qoftë se e mbani mend. Vllaznia në asnjë moment nuk bëri realitet, Kukësi po ashtu. Partizani që tani shkoi në vendin e tretë, atëherë ishte në vendin e 6. Kjo bëri që Tirana të kishte një rrugëtim shumë të thjeshtë deri te titulli. Nuk më duket që kjo skuadër është nga ato që mund të bëjë një rrugëtim të rëndësishëm në Europë. Kaq”, ka deklaruar Redi Jupi./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online