Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është shprehur mjaft entuziast për suksesin e katër skuadrave shqiptare në kompeticionet europiane. Duke folur në një intervistë për fshf.org, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar vlerësoi paraqitjet mjaft të mira të Tiranës në Champions League dhe të Teutës, Kukësit, dhe Laçit në Europa League.
Presidenti Duka tha se niveli i kampionatit është rritur ndjeshëm, ndërsa klubet konfirmuan se jemi bërë edhe më konkurrues në Europë. Gjithashtu, kreu i qeverisë së futbollit foli edhe për çështjen e investimeve, talentet e reja që kanë ardhur në rritje apo për formulën e kampionatit.
– President, si do ta vlerësonit parqaqitjen e klubeve shqiptare në Champions dhe Europa League? Çfarë do të evidentonit ju konkretisht nga ky sukses?
– Suksesi i skuadrave shqiptare në Europa League konfirmoi së pari faktin se cilësia e kampionatit kombëtar Kategoria Superiore është rritur ndjeshëm dhe kjo është thelbësore. Ballafaqimi me skuadrat e vendeve të ndryshme në Europë tregoi se jemi bërë më konkurues, mbase si kurrë më parë. Sidomos dy fitoret në transfertë, ajo e Tiranës në Gjeorgji dhe e Laçit në Azerbajxhan ishin prova më e mirë se suksesi nuk është aspak rastësor dhe se klubet shqiptare kanë bërë përmirësime të ndjeshme në aspektin e menaxhimit. Por edhe Teuta ndaj Beitar Jerusalem dhe Kukësi ndaj Slavia Sofjes dhe kanë shkëlqyer në turin e parë. Na kanë bërë të ndihemi krenarë.
– Sa mendoni se ka ndikuar formula me 10 skuadra në Kategorinë Superiore në aspektin e konkurrencës? Si e shikoni nivelin e menaxhimit aktualisht?
– Unë mendoj se formula e Kategorisë Superiore me 10 skuadra është me optimalja dhe më efektivja. Kjo formulë ka rritur ndjeshëm konkurrencën, duke i detyruar klubet në një farë mënyrë që të synojnë te cilësia e futbollit dhe afrimi i talenteve. Gara ka qenë shumë më e fortë në fushë, si përsa i përket majës së renditjes, ashtu edhe në luftën për mbijetesë. Konkurrenca ka patur mjaft efekte pozitive.
Gjithashtu, them se klubet shqiptare kanë përmirësuar cilësinë e menaxhimit. Nëse në vitet e kaluara kemi pasur vetëm një skuadër ose dy që kanë bërë një paraqitje të mirë në kompeticionet europiane, këtë vit të katër skuadrat që kanë siguruar kualifikimin në Champions dhe Europa League kanë treguar që të gjitha nivel të mirë dhe kanë bërë ndeshje dinjitoze. Do të veçoja sidomos rastin e Tiranës që luajti mjaft mirë ndaj Crvena Zvezdës, skuadër që vitin e kaluar mori pjesë në fazën e grupeve të Champions League dhe me një buxhet shumë më të madh. Kampionëve të Shqipërisë thjesht u mungoi fati në atë sfidë.
– Sa mendoni se kanë ndikuar investimet në futboll gjatë viteve të fundit?
– Investimet në infrastrukturë kanë nxitur rritjen e cilësisë. Jo më kot edhe Federata Shqiptare e Futbollit e ka vënë fokusin e saj te infrastruktura dhe projekti “100 fushat” mund të sjellë një zhvillim të rëndësishëm për të ardhmen e futbollit. Paraqitjet e mira të skuadrave shiptare pasqyron pikërisht edhe përmirësimin i infrastrukturës sportive të klubeve. Nëse vazhdojmë me investimet e ardhmja do të jetë e ndritur.
– Këtë vit u vu re një ndryshim pozitiv në drejtim të talenteve. Disa lojtarë që u transferuan jashtë duke sjellë të ardhura të konsiderueshme për arkat e klubeve dhe shumë talente që shkëlqyen me klubet e tyre në kompeticionet europiane. A mendoni se u duhet dhënë më shumë besim të rinjve?
– Patjetër, ajo që u vu re në këto ndeshje ishte fakti se numri i futbollistëve shqiptarë të talentuar është rritur ndjeshëm dhe ky është një lajm shumë i mirë. Tirana, Teuta, Laçi dhe Kukësi kishin në përbërje në ndeshjet e Europa League shumë të rinj të talentuar, që kanë dalë nga akademitë e tyre.
Elementë që shfaqën potencial të madh në fushë dhe treguan karakter të fortë. Shpresoj shumë që ky vit të mos jetë një përjashtim dhe ky fenomen të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Shqipëria prodhon shumë të rinj të talentuar dhe është mëkat që të mos marrim maksimumin nga ky investim.
– Sa mund të ndikojnë të ardhurat që marrin klubet nga pjesëmarrja në kompeticionet europiane në kampionatin shqiptar?
– Këto kualifikime do të rrisin kapacitet financiare të klubeve për të investuar më shumë. Besoj se këto suksese kanë bërë që klubet shqiptare ta kuptojnë se sa i rëdësishëm është investimi dhe se si një punë e mirë e bërë përgjatë një sezoni shpërblehet dhe përkthehet në të ardhura për arkat e tyre. Këto përfitime do të shkojnë për të forcuar skuadrat dhe sidomos akademitë e moshave, që janë e ardhmja e futbollit.