Vllaznia ka nisur një projekt të ri pas marrëveshjes me sponsorin e ri të klubit. Matko Djarmati ka marrë rolin e drejtorit sportiv, ndërsa pankina iu besua një gjermani si Brdariç. Shkodranët kanë qenë aktiv në merkato dhe lojtarët e afruar kanë qenë të shumtë. Në një prononcim për “News 24“, Djarmati fletë më tepër rreth planit të Vllaznisë për sezonin e ardhshëm. Kroati ndihet optimist, dnërsa shpjegon edhe arsyen përse ka shumë afrime të huaja. Për të nuk është momenit të flitet për trofe, por ajo që do të synohet është një vend në Europë.
“Ne çdo ditë përpiqemi të bëjmë një gjë më mirë se ishte vjet. Është një punë e vështirë, por unë dhe stafi teknik jemi optimist se do të jemi më mirë se vjet. Duhet një ndryshim. Ne përpiqemi të bëjmë ndryshim për mirë në këtë situatë.
Disa lojtarë që kanë ikur nga Vllaznia ne i kemi piketuar për t’i mbajtur edhe për një vit. Kontrata e tyre kishte mbaruar dhe me disa nuk kishim mundësi financiarisht, ndërsa disa të tjerë kishin dëshirë të largoheshin jashtë Shkodrës. Unë e njoh Superioren shumë mirë dhe çdo ditë flas me trajnerin për një kujdes me kampionatin shqiptar, sepse çdo trajner i huaj, me eksperiencën që kam unë këtu, ka vështirësi në fillim të kampionatit.
Jemi shumë larg nga trofeu. Nuk është mirë të fillojmë një sezon objektiv. Objektivi jonë është të provojmë të kapim një vend në Kupat e Europës. Por në fund do të shikojmë ndeshje pas ndeshje dhe të shohim ku do arrijmë”, ka thënë Matko Djarmati./Halit Delibashi-Sport Ekspres/