Kanë përfunduar edhe dy ndeshjet e orës 18:00 të javës së 32-të të “Abissnet Superiores“. Gara për titullin kampion bëhet edhe më emocionuese, teksa diferenca mes Partizanit dhe Tiranës shkon në vetëm dy pikë. Të kuqtë kanë mposhtur me rezultatin 3-1 Kukësin, ndërsa bardheblutë janë befasuar nga Teuta në “Niko Dovana“. Pas përfundimit të ndeshjeve, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për mikrofonin e emisionit “Ti Bo Gol” në “Oversport“.
Hallaçi (Kukësi): “Skuadra nuk e filloi keq lojën. Shënuam edhe një gol. Kemi një problem, kur pësojmë një gol, e kemi të vështirë të ngrihemi. E dinim që Partizani është një skuadër që kërkon fitoren për vendin e parë, por edhe ne për të mbijetuar. Në pjesën e dytë, po të shënonim një gol, ndoshta edhe mund të hapej loja. Po na vështirësohet situata shumë, jemi në siklet. Kemi folur herë pas here që duhet një sakrificë. Përndryshe, nuk mund të arrijmë rezultat. Duhet më shumë grintë, sepse kaq nuk mjafton. Jemi shumë larg asaj që kemi kërkuar. Pres më shumë nga disa lojtarë. Nuk po përmend emra”.
Martini (Teuta): “Kur luajmë ndaj Tiranës e gjejmë këtë forcë. Në 3 ndeshje, i kemi marrë 9 pikë. Sikur të luanim vetëm kundër Tiranës, do kishim fituar kampionatin. Ne luanim sot për të marrë pikët, duam të jemi në katërshe. Kupa akoma s’ka mbaruar, nuk jemi dorëzuar. Kishte shumë ndeshje që fati na kishte kthyer shpinën. Ky ekip ka mundësi. Jemi të kënaqur me atë që kemi bërë sot“.
Kolela (Partizani): “Gjëja më pozitive ishte të fitonim sot. Fakti që rivalët tonë humbën sot i jep më shumë vlera fitores sonë. Kujtoj që dikush tha në janar se ne nuk kishim bërë merkato. Ne kemi marrë disa lojtarë dhe kemi rekuperuar Da Silvën, që për një periudhë nuk ishte gati. Por unë jam i kënaqur me çfarë skuadra jep në fushën e lojës dhe në stërvitje. Të gjithë na japin kualitet gjatë javës dhe na ndihmojmë të marrim maksimumin në çdo ndeshje. Jam i lumtur kur fiton skuadra ime. Por nëse kampionati përfundon në këtë moment, ne jemi dy pikë pas. Për këtë nuk jam i lumtur. Derbi? Tani po mendoj për të ngrënë, sepse kam uri. Kemi kohë për ta menduar“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/