Atletiko e Madridit u shpreh e gatshme për t’i ardhur në ndihmë rivalëve të tyre më të mëdhenj. Bardhekuqtë vendosën ta lënë armiqësinë brenda fushës dhe i ofruan galaktikëve stadiumin e tyre “Wanda Metropolitano” për të luajtur ndeshjet e mbetura në shtëpi. Kjo për shkak se “Santiago Bernabeu” është në rikonstruktim.
“Do e heq maskën për t’ju përgjigjur. Besoj se askush nuk ka dyshime që ne do të jemi në dispozicion të Realit të Madridit. Askush të mos ketë dyshime për këtë”, u shpreh presidenti i Atletikos, Cerezo, pyetjes së kryetarit të Bashkisë së Madridit nëse do i hapte dyert e “Wanda Metropolitano” për “los blancos”.
Por ky nder është refuzuar nga Reali i Madridit. “Marca” raporton se klubi spanjoll do të ndjekë planin e tyre për të përfunduar sezonin në stadiumin “Alfredo Di Stefano” që gjendet në Valdebebas, ku është edhe qendra e tyre stërvitore./Halit Delibashi-Sport Ekspres/