Kupa e Shqipërisë i përket Egnatias. Rrogozhinasit ngrenë lart për të dytin vit radhazi trofeun e dytë më të rëndësishëm në futbollin shqiptar. Egnatia ka mposhtur sot me rezultatin minimal 1-0 Kukësin. Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 38 dhe ka si autor Edison Ndrecën. Ky i fundit u la i pambuluar në zonë, nga ku ndëshkoi ish-skuadrën e tij.
Egnatia pati mundësinë të dyfishonte rezultatin në minutën e 78, kur gjyqtari akordoi një 11 metërsh në favor të jeshilzinjve. Fernado mori përsipër të gjuante këtë penallti, por nuk mundi ta fitonte dot duelin me Tafasin. Portieri i Kukësit arriti ta priste me sukses topin, duke mbajtur ende në lojë verilindorët. Kuksianët provuan deri në sekondat e fundit, por nuk mundën të ndryshonin dot rezultatin. Në fund, kupa shkoi në duart e lojtarëve të Egnatias, të cilët fitojnë kështu trofeun e tyre të parë për këtë sezon. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Demrozi (Presidenti i Egnatias): “Ka vetëm punë, asgjë tjetër. Me Vllazninë do të jetë një ndeshje e fortë. E dimë që është një ekip shumë i fortë. Ka ndërruar edhe trajnerin së fundmi. Jemi ndeshur shpesh me Vllazninë, por kjo ndeshje nuk do të jetë si të tjerat. Në fillim të sezonit e krijuam ekipin për të fituar titullin. Ne faktikisht titullin e kemi fituar, por është formula e re. Titullin moral e kemi fituar. Edhe Kupa është një trofe që na bën mirë si ekip. Nuk kemi fituar nga 20 apo 30 trofe si kanë filluar Tirana e Partizani, kështu që ky trofe na bën mirë. Tetova ka edhe dy vite kontratë me Egnatian. Do të ulemi të diskutojmë, jam gjithmonë i hapur. E shoh veten në finale? Po, përse jo?”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/