Flamurtari po ecën në rrugën e duhur për rikthimin në “Abissnet Superiore”. Ditmar Bicaj konfirmon se objektivi i vetëm është ngjitja në elitë, pa pasur rëndësi nëse e arrijnë këtë objektiv nga vendi i parë apo ai i dytë në renditje. Në një lidhje direkte me emisionin “Ora Sport“ në “Ora TV“, futbollisti i Flamurtarit ka komentuar edhe mbërritjen e një sulmuesi mjaft cilësor në ekip, Pedro Augustos. Bicaj ka thënë se tashmë ekipi vlonjat është kthyer në një mini Flamengo, për shkak se në grup ka tashmë 10 lojtarë brazilianë.
“E lehtë nuk është, sepse ka probleme në infrastrukturë. Kur ka probleme në infrastrukturë e pëson gjithmonë ekipi që ka më shumë cilësi. Ndihemi të penalizuar nga ky aspekt. Pedo Augusto ishte pak a shumë një dhuratë e presidentit Idrizi. Dihen vlerat e tij. Ka bërë një sezon mjaft të mirë me Egnatian. E mirëpresim. Vlorën do e pëlqejë, kjo është 100% e sigurt. Kemi rreth 10 brazilianë në ekip, jemi një mini Flamengo. Të gjithë që kanë zbritur në herë të parë në Vlorë, kanë mbetur të surprizuar. Augusto ka luajtur te Egnatia. Qytet i vogël, nuk krahasohet me Vlorën. Kemi një objektiv madhor, që është ngjitja në kategori. Jemi në vend të dytë. Nuk ka rëndësi nëse e mbyllim në vend të parë apo në vend të dytë, rëndësi ka të ngjitemi në Superiore”, ka thënë Ditmar Bicaj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/