Armand Duka u zgjodh zëvendës president në UEFA, i dyti pas Ceferin. Ky është një moment historik jo vetëm për kreun e FSHF, karriera e së cilit kulmoi në ditën e djeshme, por edhe për futbollin shqiptar.
Shqipëria ka zërin e saj dhe është e dyta nga rëndësia në mes të të gjithë Federatave të Futbollit në Europë! Në kufijtë e çmendurisë, por ky është realiteti i ri. Një jehonë e madhe ndërkombëtare është bërë për këtë post të ri të Dukës.
Në Serbi kanë xhelozuar jo pak për faktin se Shqipëria ka një përfaqësues në nivele kaq të larta. Nga krahu tjetër, media më e madhe në Greqi, Gazzeta.gr, e ka përshkruar në këtë mënyrë: “Një moment historik për futbollin në Shqipëri, Duka është zëvendës president në UEFA. Futbolli shqiptar hap një faqe të re me këtë zgjedhje, duke qenë numri dy në UEFA”.
Nga krahu tjetër “Klix.ba” në Bosnje shkruan: ‘Presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Duka, ka marrë një besim të madh nga shtëpia ombrellë e futbollit europian për shkak se është zgjedhur nënkryetar i UEFA-s. Shqipëria ka sot njeriun e dytë të futbollit europian. Duka është zgjedhur nënkryetar i UEFA-s dhe do të jetë “dora e djathtë” e Aleksandër Çeferinit.
Kështu, UEFA i besoi shumë Dukës dhe njëkohësisht ai u bë njeriu i parë nga Shqipëria që mban një post kaq të rëndësishëm. UEFA u orientua nga fakti se Duka është përfshirë prej kohësh në ngjarjet në futbollin europian dhe ka shumë përvojë në menaxhimin e futbollit në Europë”, shkruan media boshnjake.
“24ur.com” tregon nga ana tjetër se Armand Duka ka marrë vendin e Presidentit të Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales. Gjithashtu edhe “Sportsportba” ka folur për këtë arritje të Shqipërisë dhe Armand Dukës, duke treguar edhe disa detaje nga pagesa:‘Nëse një anëtar i Komitetit Ekzekutiv në UEFA paguhet 160.000 euro në vit, një zëvendës president në UEFA përfiton 250.000 euro në vit”, shkruan “Sportsportba”. /Sport Ekspres/