Futbollistët shqiptarë kanë treguar talent dhe rritje në nivelin e tyre, gjë që dallohet qartë vitet e fundit, ku numri i lojtarëve që hedhin hapin në kampionatet europiane është gjithnjë në ngritje. Pas futbollistëve të Superiores, tashmë edhe ata të kampionatit të Kosovës kanë rënë në sytë skuadrave të huaja. Pas Baftiut duket se rrugën e largimit e ka marrë edhe Arb Manaj.
“Gazeta Olle” në Kosovë zbulon se sulmuesi do të udhëtojë javën e ardhshme drejt Turqisë, ku pritet të jetë edhe e ardhmja e tij. Bisedimet me skuadrën e Keçiorengucu duket se janë në një fazë të avancuar dhe me shumë mundësi do të përfundojnë me një firmë në kontratë. Klubi më fjalë luan në Kategorinë e Parë të Turqisë. Ndërkohë Manaj shihet si një sulmues tejet premtues dhe me një marrëdhënie të mirë me golin, teksa në sezonin që la pas arriti të tundë 18 herë rrjetën me fanellën e Trepçës ’89./Halit Delibashi-Sport Ekspres/