Nga Klaudio Ndreca
Jasir, më shumë se të gjithë, t’i e ke provuar jetën në 360 gradë. E di se çfarë do të thotë të jesh në hije, të mos jesh në një skenë të rëndësishme për disa arsye që nuk lidhen aspak me aftësitë e tua, të marrësh goditje brutale dhe pabesie nga njerëzit që të rrethojnë, por edhe të jesh njeriu më i përfolur në gjithë shqiptarinë.
Nëse të tjerët mund të ekzaltohen dhe të transformohen nga vëmendja, aq shumë sa të ndërrojnë fytyrën e tyre dhe të mos njohin më as veten, ti Jasir je aq i pjekur dhe ke kaluar kaq shumë sa nuk të bën më përshtypje asgjë, praktikisht…asgjë! Shumë lojtarë të tjerë “fryhen” dhe siç thuhet në gjuhën e rrugës “marrin për kot” kur shënojnë një gol të bukur në klubet e tyre, por si do të silleshin ata nëse do të realizonin 3 çmendurira njëra pas tjetrës, si ty me fanellën e Shqipërisë?
Duhet lënë gjithmonë pak vend për imagjinatën… E mjaftojnë dy ndeshje miqësore, që nuk kanë asnjë rëndësi për rezultatin dhe mosmirënjohja del në skenë. Ose më mirë fjalët e këqija dhe negativiteti që shumë njerëz kishin mbledhur në gjithë këto kohë, por t’i Jasir nuk i kishe lënë mundësi që t’i shprehnin, pasi do të kryqëzoheshin nga tifozët. Pritën rastin e parë, nëse mund të quhet rast, për të goditur ashtu siç t’i je mësuar tashmë, pabesisht, por ti ke krijuar imunitet nga të tilla goditje.
Të thuash se Jasir Asani nuk ishte aspak në formën e tij për këto dy miqësore, është krejt normale dhe e logjikshme. Askush nga ne nuk kërkon të mashtrojë opinionin apo t’i hedh “hi syve” për diçka që e kanë parë të gjithë, fundja, e di edhe vetë Jasiri. Por të ngresh pikëpyetje mbi aftësitë e Jasir Asanit, kjo është një mosmirënjohje e madhe dhe shumë dashakeqëse nga njerëz që kanë parë të paktën dy ndeshje futbolli në jetën e tyre.
Atëherë pyetja që shtrohet, përse Shqipëria nuk arrin të fitojë kur Jasir Asani është në ditë “JO”? Sepse Jasir Asani është shumë më tepër sesa një goditje nga distanca, sesa një supergol që e gjitha bota e quan art, ndërsa në Shqipëri e quajnë…”kapje këmbe”. E çuditërisht, vetëm këtij lojtari ia kap këmba tre herë radhazi, askujt tjetër.
Por për t’i dhënë përgjigje pyetjes së ngritur, Shqipëria nuk fiton pasi kishte krijuar varësi nga Jasiri. Ky lojtar u shpall si futbollisti më me shumë ndikim në grupin E kualifikues të Europianit me 3 gola të shënuara dhe 2 asist të dhënë. Në një grup me Çekinë dhe Poloninë, ku është një tjetër çmenduri që duhet të marrë fund, pasi këto dy Kombëtare janë në Europian dhe askush nuk mund t’ia zhvlerësojë vlerën e arritjes Shqipërisë tonë, duke ulur dy rivalët e lartpërmendur.
Ti je ende ai lojtari që driblove gjithë ekipin e Polonisë në ndeshje debutuese, por të kritikuan se nuk po futeshe nga krahu në brendësi të zonës për të rrezikuar portën kundërshtare. Ti je ende ai lojtari që zgjidh ndeshje çmendurisht nga distanca duke pasur “këmbën e bekuar”, që rrëzon çekët dhe polakët. Ti je ende ai lojtari që jep pasime të katapultuara dhe që më mirë nga të gjithë, e di Sokol Cikalleshi.
E në fakt, kur t’i shënosh Italisë dhe të përulësh Donarumën në të njëjtën mënyrë, dashuria do të plas sërish dhe të gjithë do të luftojnë për të kapur dhe për të treguar se kush ishte i pari që të donte ty në Kombëtare. Por ti e more një tjetër leksion, mos e harro, bëj gol të të duam prapë! Në këtë jetë nuk ka asnjë dashuri pa kushte përveçse ajo e prindërve për fëmijën… /Sport Ekspres/