Mbrojtësi i Skënderbeut nuk u stërvit dje me grupin, por të enjten pritet të jetë në fushë. Daja i dyzuar për linjën e djathtë të mesfushës
Leonard Trebicka
Me kthimin e Lilajt dhe të Xhejmsit, të gjithë mendojnë se Skënderbeu nuk do të jetë ai i Çekisë në ndeshjen e kthimit, pasi këta dy lojtarë e bëjnë formacionin më solid. Por dje të gjithë janë trembur, kur kanë parë qendërmbrojtësin Bajram Jshanica të bënte vrapime rreth fushës së stadiumit, ku ishin të pranishëm edhe qindra tifozë. Shqetësimi ishte i madh, pasi mungesa e kosovarit në ndeshjen e së enjtes do të ishte një minus i madh. Por shanset janë që “Jasha” të luajë të enjten. Stafi mjekësor ka sqaruar se mbrojtësi ka pasur një shqetësim në kavilje, pas një goditjeje që ka marrë gjatë ndeshjes së parë me Mladën. Ai nuk është stërvitur dje me grupin, duke u ruajtur. Jashanica pritet që të stërvitet me ngarkesë të plotë dy ditët e fundit para ndeshjes me çekët dhe gjasat janë që të enjten në mbrëmje të zbresë në fushë nga minuta e parë.
MBROJTJA – Prapavija ka qenë reparti më i konsoliduar i Skënderbeut në ndeshjet europiane, me përjashtim të asaj të fundit, ku u bënë disa gabime me kosto. Nëse Jashanica nuk luan të enjten, por që ka shumë pak shanse të ndodhë kjo, në qendër të mbrojtjes kthehet Osmani, ndërsa pjesa tjetër nuk lëviz, pra me Vangjelin dhe Micin në krahë, si dhe me kroatin Radas në qendër.
MESFUSHA – I sigurt është kthimi i Sabjen Lilajt në qendër, ku do të luajë bashkë me Nimagën. Përpara mbrojtjes do të jetë sërish Osmani, por, nëse ky i fundit kthehet në mbrojtje për të zëvendësuar Jashanicën, vendin e tij do ta zërë Dita. Kjo është vetëm hipotezë për momentin. Dilema më e madhe e trajnerit Ilir Daja është për krahun e djathtë. Ai po provon Gavazajn këto ditë në këtë rol dhe nuk ka marrë një vendim përfundimtar se kush do të luajë titullar të enjten, kosovari apo kryeqytetasi. Dyshimet janë për faktin e cili prej këtyre lojtarëve, Takut dhe Gavazajt, i përgjigjet më mirë lojës së kundërshtarit. Në krahun e majtë është i padiskutueshëm Liridon Latifi.
SULMI – Nigeriani Xhejms Adeni ka dy ditë që është bashkuar me grupin në stërvitje dhe gjasat janë që të kthehet titullar, edhe pse nuk është ende në gjendjen optimale. Deri të enjten, kur luhet ndeshja, do të shihet më qartë se kush do të jetë në gjendjen më të mirë, Xhejms apo Plaku, i cili luajti titullar në fushën e Mladës të enjten që shkoi. Kjo është gjendje e momentit te Skënderbeu, me problemin e Jashanicës, që nuk është shumë serioz, si dhe dilemën e madhe të krahut të djathtë. Janë edhe tri ditë stërvitje dhe të mërkurën në mbrëmje trajneri Ilir Daja do ta ketë gjithçka edhe më të qartë.