Japonia, nga Oli e Benxhi te pastrimi i stadiumit

Japonia u eliminua nga Botërori 2018 në mënyrë dramatike, pas humbjes me përmbysje 3-2 përballë Belgjikës. Pavarësisht asaj që ndodhi në fushë, aziatikët i dhanë lamtumirën turneut në Rusi duke pastruar dhomën e zhveshjes në Rostov.

Një letër me mesazhin “Faleminderit”, të shkruar në rusisht u la në tavolinën që qëndronte në mes të dhomës. Rreth e përqark, çdo gjë që shkëlqente. Fotografia sesi Japonia e la dhomën e zhveshjes ishte një prej imazheve më të bukura të Kupës së Botës.

Megjithë zhgënjimin dhe lotët e derdhur pas humbjes, ata vendosën të pastronin dhomën, duke dhënë një shembull unik në futboll. Ekipi përfaqësues shërben si shembull edhe për tifozët, që ashtu si në ndeshjet e tjera, ku u veçuan për gjestet e tyre, edhe këtë herë pastruan tribunat në të cilat ishin akomoduar.

Ndërsa përpara duelit me Belgjikën, tifozët japonezë ranë në sy edhe për koreografinë magjike me personazhet e mirënjohur të filmave me kartonë Oli dhe Benxhi. Edhe pse jashtë Botërorit 2018, Japonia meriton një çmim për sjelljen e tifozëve dhe futbollistëve. Ju lumtë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *