Gjermania pritet të jetë e para nga kampionatet elitare të Europës që do të zbresë sërish në fushë dhe vendimi do të vijë ditën e nesërme. Shanset janë poszitive dhe këtë e konfirmon edhe mesfushori shqiptar, Klaus Gjasula. “Gladiatori” i Kombëtares kuqezi ka qenë i ftuar në “Studio Sprint” të “ABC News”, ku ka folur më tepër rreth kampionatit gjerman dhe të ardhmes së tij. Dëshira e lojtarit ka qenë që ta mbyllë gjithçka te Paderborni, por nuk e përjashton mundësinë e largimit nga ekipi ku mban edhe shiritin e kapitenit në krahë. Në fund ka treguar edhe mallin që ndejn për fanellën e Kombëtares dhe shpreson që normaliteti të kthehet sa më parë për të luajtur sërish me kuqezinjtë.
RIFILLIMI I BUNDESLIGËS – “E dimë që nesër do të vendoset, nëse do të rinisë në datë 15. Duket që janë gati të japin lejën. Në fund të javës do të shkojmë të gjithë futbollistët e kampionatit gjerman në hotel, në karantinë, që të mos kemi kontakte me njerëzit e tjerë. Testet i bëjmë dy herë në javë, shumica e lojtarëve nuk janë prekur. Ato që janë prekur, rreth 10 vete, do qëndrojnë në shtëpi, nuk do të stërviten me skuadrën”.
SITUATA – “Nuk jam mësuar të rri gjithë ditën në shtëpi. Ndjesi e mirë që rinisi stërvitja. Është jeta jonë, është gjë e bukur, por shëndeti është më i rëndësishmi”.
KAMPIONATI – “Do bëhet e vështirë, ndeshjet do kthehen pas një muaji e gjysmë. Duhet të ruash veten, të kesh kujdes dhe do ketë ndërrime më shumë të lojtarëve sesa përpara”.
E ARDHMJA – “Unë, deri tani, isha me mendjen ta mbyll me Paderbornin. Nuk e dimë çfarë do të ndodhë pas koronavirusit, sa lekë do ketë, kur do luhet sezoni i ardhshëm. Është e vështirë, por brenda 2 javësh do mësoj më shumë. Zoti e di se kur do të vazhdojë rrugë. Është bukur të luash në Gjermani, kam gjithë jetën këtu, kampionati është i fortë, por do shoh edhe mundësitë e tjera. Nuk mund të them që nuk do shkoj në shtete të tjera, do vendos me familjen time për të ardhmen”.
KOMBËTARJA – “Nuk kemi folur me trajnerin, por me Bulkun edhe 2-3 të tjerë nga stafi. Kombëtarja na mungon dhe ishalla bëhet gjithçka si më parpara, që të vijmë në kombëtare dhe të vazhdojmë ndeshjet”, ka thënë Klaus Gjasula./Halit Delibashi-Sport Ekspres/