Superiorja është në luftë me kohën tashmë, duke rrezikuar seriozisht që sezoni i lënë përgjysmë të mbyllet në tavolinë e jo në fushën e lojës. Takimi i sotëm me Ministrinë e Shëndetësisë nuk ka qenë i frytshëm në lidhje me caktimin e një date të afërt për të nisur stërvitjet, që me këtë pushim të gjatë duhet të zgjasin për të paktën dy javë. Në lidhje me këtë temë ka folur edhe mjeku i Kukësit dhe njëherazi anëtar i grupit të punës së FSHF-së për bashkëpunimin e me Ministrinë, Mel Ostreni.
Në një intervistë për “Syri TV” ky i fundit ka thënë se një tjetër problem është edhe kthimi i lojtarëve të huaj, të cilët duhet të karantinohen për 14 ditë kur të mbërrijnë në Shqipëri e më pas të rinisin stërvitjet. Shtuar kjo edhe me faktin se nevojiten 15-20 ditë stërvitje, atëherë vihet në pikëpyetje fati i këtij kampionati, pasi koha nuk premton shumë.
Data 18 e fillimit të stërvitjes
“Ne po i marrim masat por praktikisht në Shqipëri ka mjaft lojtarë të huaj që vijnë nga shtetet e tjera që i kem i pranë, nuk e di si do të bëhet me ata. Flas për skuadrën e Kukësit, praktikisht kemi lojtarë që vijnë edhe nga kontinenti afrikan dhe do të ketë probleme pasi koha nuk është në favorin tonë. Sipas rregullave ata duhet të karantinoren për 14 ditë dhe më pas të nisin stërvitjen nuk e di si do të kapërcehet kjo pjesë.
Situata nuk është premtuese sepse duhen marrë masat jo vetëm nga federata por edhe nga klubet. Na i bëjnë të vështirë me kushtet që kemi. Shqipëria nuk është super fuqi si shtet e tjera pasi në fillim e shikoj të vështirë por duke parë dhe duke bërë”.
Stërvitja individuale në 18 maj? Sa kohë duhet për të nisur edhe në grup?
“E them me kompetencë të paktën do të duhen 3 javë që të plotësojnë lojtarët kondicionin e mirë fizik. Pasi ndeshjet janë shumë pranë njëra-tjetrës dhe do të duhet kohë për tu rikthyer në formën e tyre”
Duhen 3 javë vetëm stërvitje?
“Stërvitja individuale merr 5-7 ditë dhe më pas skuadra duhet të stërvitet së bashku. Por në total do të duhen 15-20 ditë stërvitje përpara se të rikthehet futbolli në vend”
Rrezikohet kampionati?
“Nëse kampionati do të fillojë në ditët e para të qershorit, është shumë e rrezikuar. Futbollistët kosovar dhe maqedonas duhet të rrinë të paktën dy javë brenda në vetë karantinuar. Lojtarët e huaj si do të zgjidhet kjo situatë, është një handikap i madh si duhet kapërcyer. Superliga dhe Federata shqiptare duhet të gjejnë një marrëveshje për vijuar futbollin”, ka thënë mjeku Mel Ostreni./Halit Delibashi-Sport Ekspres/