Marash Kumbulla është zyrtarizuar sot si lojtar i Espanjolit. Mbrojtësi shqiptar do ta kalojë sezonin i huazuar në radhët klubit që garon në La Liga. Lojtari 24-vjeçar është vetëprezantuar për tifozët përmes një interviste të shkurtër të shpërndarë në kanalin zyrtar të Espanjolit në “Youtube”. Kumbulla ka thënë se trajneri dhe drejtori sportiv i bardhebluve e kanë kërkuar në këtë merkato. Mbrojtësi i Kombëtares ka treguar më pas edhe disa nga cilësitë e tij dalluese në fushën e lojës.
“Ndihem shumë mirë. Jam shumë i lumtur që jam këtu. Ishte diçka tepër e shpejtë që e doja vërtetë shumë. Falenderoj drejtorin sportiv, trajnerin dhe të gjithë ata që më donin. Po pres me padurim për të hyrë në fushë. Më kanë bindur trajneri dhe drejtori për të ardhur. Klubin e njihja, sepse është një klub historik. Edhe stadiumin e njoh. Të gjitha këto së bashku më bindën për të ardhur këtu.
Jam një mbrojtës qendre që më pëlqen të jem agresiv. Më pëlqejnë duelet, por edhe të luaj me topin. Gjithashtu më pëlqen edhe që ndonjë herë të shënoj gol me kokë. Jam një lojtar që jap gjithçka në fushë. Shpresoj që t’ja shpërblej të gjithë tifozëve besimin e trajnerit dhe të drejtorit. Me zor po pres të hyn në fushë dhe ta përjetoj nga afër, të ndej të gjithë ngrohtësinë tuaj”, është shprehur Marash Kumbulla./Halit Delibashi-Sport Ekspres/