Partizani do të përballet në ditën e sotme kundër Bate Borisov. Kjo ndeshje është e vlefshme për turin e parë të Champions League. Trajneri i Bate, Alshevsky, ka ngelur me përshtypje të mirë nga Air Albania. Nga krahu tjetër, nuk ngurroi që të vlerësonte lojtarët shqiptarë dhe më konkretisht Eneo Bitrin.
“Jemi shumë të lumtur që jemi në Shqipëri. Më ka bërë përshtypje Air Albania, është një stadium shumë i bukur, presim që të kemi përshtypje edhe më të mira gjatë ndeshjes. Kemi marrë disa informacione për Partizanin, kemi një ide nga sezoni i kaluar pasi tani ka ndryshuar trajneri dhe sigurisht stili i lojës, është e vështirë për ne. Por e kemi të qartë që Partizani ka përbërje të mirë dhe nuk do të jetë e lehtë.
Nëse luajmë futboll të mirë dhe barazojmë, do të jem i lumtur. Nëse luajmë dobët, por fitojmë 2-0, do të jem i lumtur gjithashtu. Lojtarët shqiptarë? E kam të vështirë me mbiemrat, kam ndjekur kampionatin shqiptar në disa raste. Lojtarët janë teknikë, agresiv dhe të fortë. Dikur më ka pëlqyer një qendërmbrojtës që ishte te Partizani, Eneo Bitri”, tha Alshevsky. /Sport Ekspres/