Mbrojtësi serb flet për arsyet që e shtynë të qëndronte në Vlorë dhe për objektivat e kuqezinjve, që sivjet duan të jenë tjetër skuadër…
Elton Nika
U cilësua prej janarit si një nga afrimet më cilësore të Flamurtarit, ndërkohë që do të vijojë të mbetet pjesë e skuadrës edhe për sezonin tjetër. Ivan Jakovjeviç beson shumë në një kampionat ndryshe, teksa sipas tij janë të gjitha gjasat që ky Flamurtar të luajë për diçka të rëndësishme.
“Unë e di fort mirë se çfarë duan në Vlorë. Prej janarit deri në maj e kam kuptuar mjaft mirë rëndësinë që ka kjo skuadër, por edhe dashurinë që kanë tifozët për këtë klub”, shprehet mbrojtësi serb me pasaportë kosovare i vlonjatëve.
Jakovljeviç u vlerësua maksimalisht si nga drejtuesit dhe tifozët e Flamurtarit për sezonin e shkuar, por këtë sezon në Vlorë nuk kërkohet më të luftohet vetëm për qëndrimin në Superiore. “Edhe ne futbollistët duam diçka të rëndësishme pas një sezoni ku luftuam deri në ndeshjen e fundit. Unë nuk e kisha menduar asnjëherë largimin, jo vetëm për shkak të kontratës, por edhe për atë se çfarë kam ndjerë te kjo skuadër dhe në këtë qytet gjatë kësaj kohe që kam qenë pjesë e Flamurtarit.
“E di fort mirë se ka pasur shumë ndryshime, me një pjesë të lojtarëve të larguar nga sezoni i kaluar dhe të afruar të tjerë, por gjërat mendoj se janë bërë mjaft cilësore. Mjafton të shohim merkaton, me lojtarë që kanë mbajtur peshë të rëndësishme në skuadrat ku kanë qenë më parë. Kjo do të thotë shumë. Do na duhet pak kohë, por mendoj se faza përgatitore që do të kryejmë shërben për këtë qëllim, pikërisht për t’u harmonizuar si skuadër. E kam ndjerë gjithmonë mbështetjen që tifozët kanë pasur në drejtimin tim, por edhe mbështetjen që drejtuesit i japin skuadrës, ndaj mendoj se janë arsye të mjaftueshme dhe bindëse për të vijuar sërish në Vlorë. Jam i mendimit se ky Flamurtar këtë vit do të dijë ta thotë mjaft mirë fjalën e vet. Duam diçka me rëndësi, por për objektiva flasim para fillimit të kampionatit. Roli im në fushë? Nuk ka rëndësi, atë e vendos trajneri, unë jam gjithmonë i gatshëm për të luajtur kudo që të ketë nevojë skuadra. Duam të jemi një skuadër kompetitive si në kampionat ashtu edhe në Kupë”, përfundon Jakovljeviç deklaratën e tij.