Asgjë nuk është e pamundur në këtë botë dhe Ramen Çepele është pasqyrimi i një djaloshi që me talent mund të djegë të gjitha etapat. Vetëm 17 vjeç, por e gjen veten në historinë e Shqipërisë. Nëse vite më parë do ishte një utopi që të shihje një futbollist të moshës së tij të vishte fanellën e ekipit kombëtar, e aq më tepër të Shqipërisë, sot ky është një realitet i prekshëm. Çepele u tregon të gjithëve se ja që diçka e tillë mund të ndodhë.
Një ditë e shënuar për të kjo e sotmja, teksa ka zhvilluar ndeshjen e tij të parë zyrtare. E ku ka më bukur se një moment i tillë kaq i rëndësishëm për karrierën saponisur të një lojtari të vijë me Kombëtaren e tij, sidomos në një vëllazërore si ajo me Kosovën.
Një emër premtues që gjithnjë ka dalë në sipërfaqe që te moshat me Interin, ashtu edhe me të rinjtë e Hanoverit ku tashmë luan, megjithëse momenti për të zbritur me një ekip të parë nuk kishte ardhur për të deri më sot. Kjo është edhe hera e parë që te Shqipëria debuton një futbollist në moshën 17-vjeçare, madje që është aktivizuar vetëm në ekipet e moshave.
Kuqezinjtë fituan sot një emër që me shumë mundësi do të kthehet në një nga të përhershmit e formacionit në të ardhmen, teksa në 90 minutat e gjendura në fushë fali vetëm garanci dhe siguri në prapavijë, duek flakur tutje emocionet e debutimit apo edhe mungesën e eksperiencës. Diçka është e sigurt, ky brez i Shqipërisë premton më shumë kurrë sukses./Halit Delibashi-Sport Ekspres/