Ivan Rakitiç në tetor 2006 shënonte një supergol në kampionatin zviceran për Bazelin, në një ndeshje kundër Sant Gallenit. Ishte sezoni i parë si titullar për mesfushorin, që në fakt nuk dukej ende se do të bëhej një yll futbolli dhe në Zvicër e mbajnë mend më shumë për një gafë kolosale.
Bazeli po luante kundër Grasshopersit dhe fitoi një goditje nga këndi. Mlladen Petriç, njeriu më i afërt i Rakitiç në ekip, lëvizi lehtë topin dhe e la te flamuri i këndit, duke e nisur lojën realisht, por vetëm Rakitiç e kuptoi. Ky i fundit mori topin dhe vrapo drejt portës, duke gjuajtur nga një kënd shumë i vështirë, por paksa jashtë. Debat i madh, por ishte gjithçka në rregull, Rakitiç e kishte marrë topin rreth gjysmë metri larg flamurit të këndit, ishte qartësisht një rreng i menduar me Petriç.
Në atë sezon Rakitiç u shpall debutuesi më premtues në kampionatin zviceran dhe në fund të sezonit nisi ankandi, me Milanin e Barcelonën që e donin me çdo kusht.
Rakitiç zgjodhi Shalken në Bundesligë, pasi në atë mënyrë do të ishte pak kilometra larg shtëpisë së tij, Mohlin, në Zvicër. Rakitiç ishte rritur si zviceran, gjermanishtja ishte gjuha e parë, ndaj Bundesliga ishte zgjedhja e duhur, si shumë të tjera në karrierën e mesfushorit të zgjuar.
Ndërkohë, familja e tij ishte në krizë, sepse Rakitiç ishte pjesë e diasporës kroate, prindërit ishin kroatë, babai nga Sikirevci dhe nëna nga një familje kroate me vendbanim në Bosnje-Hercegovinë. Ata e nuhatën krizën që po përfshinte Ballkanin në mesin e viteve ’80 dhe ikën në Zvicër, në Mohlin, një qytezë e përgjumur mesjetare, me 10.000 banorë. Aty, në vitin 1988, lindi Ivan Rakitiç, i cili luajti me të gjitha ekipet përfaqësuese të Zvicrës, deri në U-21, por në qershor 2007 kaloi te Kroacia, kur e telefonoi Sllaven Biliç.
Po atë natë shtëpia e familjes së tij në Molin u vu nën shënjestër, zviceranët nuk e pranonin vendimin e Rakitiçit, një lojtar i rritur në Zvicër, por që zgjodhi Kroacinë vetëm për shkak të parave të premtuara dhe vendit në ekipin e parë. Rakitiç mohoi që të ishte paguar nga Kroacia, por askush nuk e besoi dhe familjarët e tij morën shumë kërcënime me vdekje, aq sa kishin frikë të dilnin nga shtëpia.
Një vit më vonë, Rakitiç ishte titullar me Kroacinë në Euro 2008, por ashtu si Luka Modriç, humbi penallti ndaj Turqisë në çerekfinale dhe erdhi eliminimi.
Në vitin 2013, ai u bë kapiteni i Seviljes, i pari i huaj që prej kohës së Diego Maradonës. Në vitin 2014 Sevilja fitoi Europa League kundër Benfikës në finale dhe Rakitiç ishte Njeriu i Ndeshjes, ndaj në qershor 2014 Barcelona e bleu për më shumë se 20 milionë euro, shifra qesharake po të shohësh ku ka shkuar futbolli në pak vite.
Te Sevilja shënoi 12 gola e dha 12 asiste në sezonin e tij të fundit aty, te Barcelona u transformua si futbollist, duke luajtur më i tërhequr e duke menduar më shumë për mbrojtje e organizim, aq sa mesatarisht ka shënuar 5 gola për çdo kampionat.
Nga mbret te Sevilja, ku merrte përsipër gjithçka, korne, goditje dënimi e penallti, te shërbëtor te Barça, sepse atje është Mesi, për të cilin ia vlen të vraposh, siç thotë vetë Rakitiç.
Çështje inteligjence, edhe ky transformim, sepse Rakitiç flet 7 gjuhë (Kroatisht, Gjermanisht, Italisht, Anglisht, Frëngjisht, Spanjisht dhe Katalanase). Ai u martua me një spanjolle në Sevilje, një histori filmash, sepse e njohu rastësisht kur ajo punonte si kameriere dhe i shërbente kafen.
Duhej të ishte bërë një yll, aq sa Shalke shiti Ozilin për t’i bërë vend atij, por Rakitiç nuk u bë kurrë, sepse u transformua në një lojtar punëtor skuadre, që vihet në shërbim të të tjerëve. Ndoshta ka ndikuar të luajturit te Kroacia, ku gjithnjë ylli ka qenë Luka Modriç.
Megjithatë, këtë verë Rakitiç ka dalë nga hija e Modriç dhe tashmë nuk është më një “violinë e dytë”. Po kombinohet mjaft mirë me Modriç, duke qenë edhe vetë një lider, diçka që dukej e vështirë të ndodhte, sepse dy organizatorë në një ekip nuk është e lehtë të realizohet, kujtoni debatin e përjetshëm Lampard-Xherard tek Anglia.
Meritë e trajnerit Zllatko Daliç, sepse më në fund pas 10 vitesh është arritur që Modriç e Rakitiç të përputhen më së miri në fushë, pa dëmtuar njëri-tjetrin, në një sistem 4-1-4-1.
Marrë nga: Bleacher Report