Iu mohua një penallti nga VAR-i, Gvozdenoviçi flet pas humbjes: Kam respekt për arbitrat, por kur dëgjoj në studio që ishte penallti…

Ka përfunduar me shifrat 0-1 ndeshja e fundit e javës së 17 të “Abissnet Superiore”-s. Laçi ka mposhtur minimalisht Skënderbeun në Korçë. Kurbinasit kanë gjetur shpejt rrugën e rrjetës. Ishte Agan Mjaki ai i cili shënoi golin e vetëm të takimit në minutën e 12. Skënderbeu u përpoq të reagonte dhe në minutën e 32-të gjyqtari vërshëllen për një 11 metërsh. Por vendimi do të zhvlerësohej pas shikimit të pamjeve në monitorin e VAR-it. Arbitri ndërron mendje dhe loja duhet të vijojë normalisht.

Bardhekuqtë arritën të dërgonin topin në rrjetë në minutën e 85, por anësori i mohon golin juglindorëve. Sipas tij, topi kishte dalë jashtë vijës fundore në momentin e krosimit në zonë, për këtë arsye duhej të mbetej në fuqi rezultati 0-1. Një rezultat që mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e trefishtë të kryesorit të takimit. Pas përfundimit të takimit, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Gvozdenoviç (Skënderbeu): “Nuk isha shumë i nervozuar. Vetëm ato 5 minutat e fundit. Jemi mërzitur për rezultatin. Ishim 1-0 për Laçin dhe kjo nuk është mirë. Do flasim, do bëjmë analiza nesër. Të gjithë lojtarët që hynë nga pankina dhanë maksimumin. Për mendimin tim, skuadra reagoi. Ishim disa herë afër për të shënuar gol. Në pjesën e dytë ishim me idenë që të shtonim krosimet. Bëmë shumë krosime, por Laçi u mbrojt shumë mirë. Unë nuk do të komentoj arbitrin dhe VAR-in. Kam respekt për ta, sepse ata dinë më shumë se mua. Por kur dëgjoj në studio që ishte penallti, atëherë çfarë të them unë. Për mua është pak e çuditshme për golin e anulluar. Ai e anulloi kur filloi festa. Nëse do të kishte dalë topi jashtë, atëherë do ta kishte ngritur flamurin më parë. Por arbitri e di më mirë”.

Josa (Laçi): “Nuk është se po kalonim një situatë të keqe. Skuadra tregoi edhe në ndeshjen me Tiranën se luajti futboll. Sot dominoi vendosmëria e ekipit dhe mënyra se si skuadra e kërkoi rezultatin. Pikët duhen, sepse barazimi nuk është një gjë e vlefshme për skuadrat. Këto pikë na japin një prioritet për të vazhduar përpara edhe në këtë ndeshje që kemi”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *