Këto ditë më shumë se kurrë jeni duke e dëgjuar shpesh fjalinë “Po kthehet në shtëpi!”, pra “It’s coming home”, në lidhje me Kupën e Botës që është objektivi i Anglisë, e cila e ka fituar vetëm një herë në historinë e saj që është më e lashta në botë, sepse sipas të dhënave flitet për 12 shekuj më parë kur topi nisi të shkelmohej në ishullin britanik… (viti 1863)
Por, shumë pak e njohin historinë e kësaj fjalie, që në të vërtetë është një titull kënge dhe nuk ka të bëjë aspak me fitimin e Kupës, pra që do të kthehet në shtëpi, në Angli, pas vitit 1966, hera e fundit e “Tre Luanëve”.
Bëhet fjalë për titullin e këngës “Three Lions”, pra “Tre Luanët”, në vitin 1996, kur Europiani u zhvillua pikërisht në Angli. Dhe, i referohej faktit që pas vitit 1966, pra Kupës së Botës, futbolli ishte rikthyer sërish… “në shtëpi!”, pra aty ku ka lindur. Një këngë ku në fakt si në asnjë këngë tjetër sporti nuk këndohet për suksese, por për dështime. Megjithatë, anglezët nuk dorëzohen, si thotë kënga: “Tridhjetë vjet vuajtje, por nuk kemi ndalur kurrë së ëndërruari”.
Grupi që e këndonte quhej The Lightning Seeds, një grup djemsh roku dhe muzike alternative nga Liverpuli. Pikërisht në tekst, është edhe fjalia “po kthehet në shtëpi”, teksa ka referime edhe për lavdinë e vitit 1966, por edhe të kohëve moderne të Anglisë…