Në të gjitha sondazhet, shqiptari rezulton drejtori sportiv më i miri në Itali, teksa nëse Milinkoviç-Saviç vërtet do të shitet për 150-170 mln euro, atëherë meriton një monument…
Nëse Lacio sot ka luksin që të ketë bilance super, të fitojë qindra miliona euro në pesë vitet e fundit nga transferimet e bëra, sekreti qëndron edhe te drejtuesit dhe prej tyre ai që është dalluar dhe pranuar nga të gjithë quhet Igli Tare. Kur shumë vite më parë, Klaudio Lotito në zyrën e tij do t’i ofronte postin e drejtorit sportiv dhe skrivaninë personale, ish-futbollisti shqiptar, që kishte shkuar vetëm për të diskutuar mbi rinovimin ose jo të kontratë, mbeti i shtangur, por pranoi me kënaqësi. Lotito e njihte mjaft mirë si personazh dhe për këtë arsye e dinte se çfarë potenciali mund të shfaqte. Tare, që me punë dhe heshtje nisi të krijojë figurën e tij, të dalë, shëtisë në Europë, por edhe Amerikën Latine (u desh të qëndronte në hotelet e Brazilit dhe te shtëpia e Hernanesit deri sa e mori me vete në Romë), krijoi edhe miqësitë dhe raportet që i duheshin. Sot, Tare është ai drejtor sportiv që shihet edhe si “Zot” në Itali dhe nga tifozët e Lacios, që dikur e shanin. Sepse, nëse Milinkoviç-Saviç kushton jo më pak se 100 mln euro (edhe pse PSG po bën gati ofertë të çmendur prej 150-170 mln eurosh) dhe u ble për vetëm 9 milionë euro nga Genku në vitin 2015) merita ose nuhatja është e shqiptarit, që në sondazhet e fundit që janë bërë ka dalë fitues, ashtu sikurse edhe te prestigjiozja “Corriere dello Sport”, ku e ndjekin vetëm Paratiçi i Juventusit, Xhuntoli i Napolit dhe Monçi i Romës. Dhe, Tare është ai që atë që prek e kthen në ar. Praktikisht, “Mbreti Mida” i Lacios… Te Lacio, vitet e fundit, lista e afrimeve që më parë kanë rezultuar fitime të pastra për arkat e klubit, është shumë e gjatë dhe do të vazhdojë të jetë, deri sa Igli Tare të vazhdojë të punojë aty. Dhe, kështu si e ka nisur, blindimi në kontratën e tij do të jetë edhe më i majmë, pasi Lotito është i vetmi që nuk do të mund të lëshonte, kundrejt çdo çmimi.