Euro 2004, 13 vite diferencë, por pakkush e ka harruar atë që ndodhi në atë Kampionat Europian. Ishte faza e grupeve, Italia kishte barazuar 0-0 ndaj Danimarkës dhe 1-1 kundër Suedisë. Në ndeshjen e fundit Italia ndeshej me Bullgarinë, duke e ditur se duhej të fitonte (ia doli mbanë), por në bazë të renditjes, Danimarka e Suedia e eliminonin, nëse barazonin 2-2 e lart.
U tha, u bë: 2-2, të gjithë të lumtur në veri, në lot në Gadishullin Apenin. Mori emërtimin “biskota skandinave” dhe tashmë Italia kërkon hakmarrjen. Drejtuesit dhe lojtarët nuk e përmendin, por tifozët nuk harrojnë dhe sapo u hodh shorti, në ueb u ngrit “dallga” popullore që kërkon hakmarrje.