Një humbje 1-0, në një tur play-off, është një ndër rezultatet më të këqija të mundshme dhe mund të thuhet pa frikë se Italia rrezikon seriozisht ta shohë Botërorin nga televizori. Në Suedi synohej minimumi një pikë, por kur nuk luan me bindje të plotë për fitore dhe kur ke një skuadër mediokre, nuk mjafton fanella e rëndë dhe kupat e botës që ke në sallën e trofeve.
Suedia luajti një ndeshje perfekte, e organizuar në mënyrë të jashtëzakonshme dhe me një epërsi fizike të qartë. Italia luajti një pjesë të parë shumë të ngadaltë dhe loja ishte krejt e parashikueshme, aq sa në pjesën e parë axurrët nuk rrezikuan asnjëherë.
Asnjë gol pas 45 minutave të para, por në të dytën, pikërisht kur dukej se Italia e kishte nisur mirë dhe po bëhej gjithnjë e më e rrezikshme, Suedia gjeti golin. Në minutën e 62-të Toivonen me kokë pasoi jashtë zone për Johanson dhe i sapofuturi në lojë goditi fort me të djathtën, duke shënuar falë një devijimi vendimtar nga De Rosi.
Për Suedinë mjaftonte e tepronte, ndërsa Italia krijoi vetëm volum loje, pa asnjë qartësi në idetë e saj. Situata është thuajse dramatike, edhe pse 1-0 mund të përmbyset.