Ismajli flet hapur: Doja të “haja barin” në Francë, sikur të ishin të gjithë si mua

Ardian Ismajli është një nga lojtarët më të mirë të Kombëtares aktualisht. Erdhi si një afrim i ri dhe u mendua se do të donte kohën e zakonshme për t’u përshtatur me grupin, por nuk ndodhi kështu.

Merr menjëherë vendin e titullarit të padiskutueshëm, ndërsa arrin njëkohësisht të marrë gjithë përgjegjësinë dhe peshën e prapavijës. Gabimet e tij mund të numërohen me gishtat e dorës, duke qenë i padiskutueshëm për trajnerët e Shqipërisë, që nga Reja dhe pa harruar Panuçin.

Ndërkohë në një rrëfim të gjatë për mediat kroate, mbrojtësi i Hajdukut të Spliti ka folur më në veçanti për atë përballje të Shqipërisë kundër Francës në transfertë.

“Ishte një eksperiencë e madhe për mua që në vështrimin e 75.000 tifozëve të luaja në Francë. Unë doja që të haja barin. Nëse të gjithë do ishin si mua, do të ishte ndryshe. Disa lojtarë u impresionuan që në nisjen e ndeshjes. E pësuam goditjen shumë shpejt dhe ishte e vështirë ta ktheje rezultatin. Nëse shohim statistikat, isha më i mirë në atë takim. Të mbash lojtarë si Giroud apo Griezman është vërtet e veçantë.

Trajneri Reja është i interesuar për Hajdukun, gjithmonë më pyet mua. Jo vetëm ai, por edhe Gigi Febbrari. Ata më thonë se u mungon Spliti. Në çdo dimër, të dy ata vijnë në Split para Krishtëlindjeve. Gigi më tha se e ka Splitin si shtëpi të dytë.

Kam bërë përparim më teknik në aspektin personal. Kam ardhur nga Kosova dhe atje nuk kishte shumë fusha të mira. Bari këtu është i përsosur. Në Kosovë, topi kërcente. Babai im, Ilmi, më ka dhënë motiv dhe doja të largohesha nga Kosova, për të shkuar në një eksperiencë tjetër. Para se të vija në Hajduk doja të provoja Prishtinën, kam qenë për 6 muaj atje”, ka thënë Ismajli. /Sport Ekspres/