Ismajli është në garë me Danilon për të shkuar te Napoli, gazetari italian nuk ka dyshime: Do të vija bast për Ardianin, është i fortë dhe i përkushtuar

Ardian Ismajli është shumë pranë transferimit te Napoli. Klubi napoletan është në kërkim të një mbrojtësi dhe profili i shqiptarit dhe ai i Danilos janë dy nga të preferuarit e drejtorit sportiv Mana. Gazetari Mauricio De Xhovani ka thënë për “Radio Marte” se zgjedhja e tij personale do të ishte Ismajli dhe jo Danilo, duke dhënë më pas edhe argumentat për këtë mendim.

“E di që Danilo është popullor në merkato, por sinqerisht nuk jam një mbështetës i kësaj linje. Braziliani është një garanci, por gjithashtu është 33 vjeç. Unë do të vija bast për Ismajlin, i cili është i fortë, i përkushtuar dhe mbi të gjitha do të pranonte të ulej në stol kur të rikthehej Buonxhornoja. Kontja e do (Danilon) dhe për mua nuk ka asgjë të keqe, por për mua personalisht nuk është zgjedhja e parë”, ka deklaruar Mauricio De Xhovani./Sport Ekspres/